22:31 / E Premte, 01 Qershor 2018

Mediat e Putinit ‘zbulojnë’ edhe një “shtëpi të verdhë”

Propaganda ruse përmes mediave të kontrolluara të presidentit Rus Vladimir Putin, si “Sputnik” dhe “Rusia sot” po vazhdon.

 Tashmë këto media paskan zbuluar edhe një “shtëpi të verdhë”, ku u heqen organet njerëzve dhe shiten në vendet e BE-së. Por tash fjala nuk është më për në Kosovë, por për në Ukrainë.

Disa media serbe i kanë dhënë hapësirë të madhe kësaj ngjarje njëjtë sikur edhe kur një gjë e tillë është folur edhe për Kosovën për “shtëpinë e verdhë”.

“Sputnik” dhe “Rusia sot”, të dy mediat e Putinit, zbulojnë edhe një “shtëpi e verdhë” në të cilën, sipas tyre, u heqen organet njerëzve dhe shiten në BE.

Ndërsa mediat serbe po i japin jehonë këtij lajmi. Skenar i ngjashëm, si para disa viteve kur pothuajse të njëjtat media zbuluan “shtëpinë e verdhë” në Shqipëri.

Shkrimet e këtyre mediave ruse dhe serbe , arritën qëllimin e tyre atë kohë, me raportin e Dick Martyt, në bazë të së cilit u themelua edhe Gjykata Speciale për gjoja krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të pretenduara nga Dick Marty e të nxitura nga mediat serbe e ruse edhe atë kohë.

Këto media tash pretendojnë se ka dëshmi për tregti me organe njerëzore edhe në Ukrainë. Raportimin e bazojnë gjoja se në korrespondencën mes Sergei Vllasenko, ish-avokatit të Julija Timoshenko, kirurges gjermane, Ollga Ueber dhe Semjon Semençenkos, komandantit të batalionit në Donbass. Në shkrimin e titulluar “Shtëpia e Verdhë e Ukrainës: I shesin organet e rebelëve të plagosur prorusë?” raportohet për heqjen e organeve nga trupat e forcave armike dhe shitjen e tyre në tregun e zi, që gjoja po ndodhë edhe në Ukrainë.

Në raportim theksohet se kjo ngjarje e rikujton çështjen e “Shtëpisë së Verdhë” dhe heshtjen e Perëndimit për heqjen e organeve nga trupat e serbëve të Kosovës.

Propaganda ruse e ndihmuar edhe nga mediat serbe viteve të fundit u ka shkaktuar shumë telashe pothuajse të gjitha vendeve të Ballkanit, por edhe shumë edhe vendeve të Bashkimit Evropian.

Gjithashtu përmes “Sputnik” dhe “Rusia sot”, Putini ka arritur që të shkaktojë probleme politike sidomos në Ballkan, duke penguar kështu shumë procese të rëndësishme politike. Sigurisht që kësaj here ky skenar i “shtëpisë së verdhë” nuk mund ta ketë efektin e njëjtë si në Kosovë, pasi që bëhet fjalë për skenar pothuajse tërësisht të njëjtë në mënyrë që Putin të arsyetojë veprimet e veta aneksuese në Ukrianë dhe qëllimet e tjera të tij në atë pjesë si dhe në të njëjtën kohë të shkaktojë probleme për vendet e BE-së duke i fajësuar se po bëjnë trafikim të organeve të shtetasve përmes Ukrainës.