13:11 / E Hënë, 20 Gusht 2018 / indeksADMonline

Mërgimtari nga Suedia dhuron një autoambulancë për QKMF në Malishevë

Mërgimtari dhe humanisti Qazim Hoti nga Carralluka, i cili jeton dhe punon në Suedi, sot e ka sjellë një autoambulancë, donacion për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Malishevë, e cila do të përdoret për nevojat e kësaj qendre mjekësore.

Për këtë donacion të sjellë sot, humanistin Hoti e kanë falënderuar i pari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtori i QKMF-së, Nuhi Morina.

“Kjo është një ndihmë e madhe dhe një vepër humane. Të ndihmosh apo të dhurosh për shëndetësi, do të thotë të shpëtosh jetë të njerëzve dhe unë, në emër të Komunës së Malishevës, ju falënderoj për këtë vepër të madhe dhe humane, që ju sot keni bërë për QKMF-në”, tha Begaj.

Edhe drejtori i QKMF-së, Nuhi Morina, në emër të institucionit që drejton, e ka falënderuar humanistin Qazim Hoti, për këtë donacion shumë domethënës për QKMF-në, e që do të përdoret në shërbim të pacientëve.

Ndryshe, mërgimtari Qazim Hoti dhe familja Hoti nga Carralluka njihen për vepra humane, të cilët në vazhdimësi ndihmojnë popullatën në tërë vendin.