18:07 / E Enjte, 17 Maj 2018 / indeksADMonline

Mësohet koha se kur do të procedohet në Kuvend ligji për arsimtarët e viteve të 90-ta

Kuvendi i Kosovës sot miratoi shqyrtimin e parë të  projektligjit për Statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990-91 deri në vitin shkollor 1998/99.

Ky shqyrtim i projektligjit mori pëlqimin nga 71 deputetë, 1 kundër ndërsa pati 2 abstenime.

Në një prononcim për “Indeksonline”, nënkryetarja e komisionit për Arsim Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Teuta Haxhiu ka treguar se cilat do të jenë tani procedurat që ligji në fjalë të procedohet për votim në legjislativ.

Haxhiu ka marrë me gëzim lajmin për miratimin e shqyrtimit të këtij projektligji në Kuvend. Sipas saj, do të punohet që shumë shpejt ky ligj të bëhet i zbatueshëm.

“Javën tjetër ne i kemi dy takime radhazi, të hënën, të martën dhe presim edhe të mërkurën, unë besoj se kam me insistu dhe shpresojë shumë se është disponimi edhe i anëtareve tjerë që sa më parë ky ligj mos të vonohet me procedura ngase ka vite që nuk është politik por sinqerisht është një periudhë kohore. Pra edhe njëherë edhe pse i kemi edhe dy ligje të tjera në dorë, prioriteti ynë do të jetë që brenda kësaj kohe të shkurtër në javën e ardhshme ose eventualisht deri në fund të muajit Maj t’i kryejmë këto procedura” është shprehur Haxhiu për “Indeksonline”.

Po ashtu ajo shtoi se iu  mbetet të punojnë në këtë ligj për ta bërë të zbatueshëm. Sipas saj, do të jetë procedura shumë e shpejtë edhe pse  afatet ligjore janë për të caktuar por siç thotë ajo nuk ka asgjë për t’u vonuar për faktin se të gjithë ishin të interesuar në sallën e Kuvendit, aty  ku edhe u votua me mbi 70 vota ‘pro’.

Ndryshe, SBASHK-u po kërkon tanimë që mësimdhënësve që kanë punuar në periudhën 1990-1999 t’iu njihet stazhi i punës, në bazë të së cilës shpaguhet puna e këtyre arsimuarve për kontributin e dhënë asaj kohe./Indeksonline/