15:49 / E Enjte, 23 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Mësymja e madhe

Shkruan: Besa Kalaja

Një pjesë e konsiderueshme e profesorëve universitar mbajnë njëkohësisht edhe poste të larta shtetërore dhe politike në vend. Disa prej tyre madje edhe postet më të larta si atë të presidentit dhe të kryeministrit. Kjo në masë të madhe e ka dëmtuar arsimin e lartë në Kosovë sidomos universitetin më të madh në vend, atë të Prishtinës, ku për pasojë e ka zhveshur nga ҫdo cilёsi akademike dhe ia ka humbur ҫdo integritet stafit tё tij akademik.

Dështimi i Universitetit të Prishtinës për të shërbyer si një qendër e ngritjes së njëmend të dijes, lidhet drejtpërdrejt me ndikimin që partitë politike kanë pasur në të.
Në mes tjerash, partitë politike shfrytëzuan emërimet e profesorëve si bartës të funksioneve politike për të shtrirë ndikimin e tyre në ambientet ku flitet për dijen dhe ku rëndom politika nuk do të duhej të ketë hapësirë të shtrihet, ashtu siç ndodhë në Kosovë.

Fatkeqësisht, formula e politikanëve mbi profesorët funksioni. Aty ku s’duhej të zinte vend politika, u arrit kulmi i politizimit. Universiteti i Prishtinës tashmë i zhveshur nga cilësitë akademike dhe kërkimore, u bë qendër e debateve politike, ku për vite më radhë politika u shtri në vendimmarrjen e universitetit, në përzgjedhjen e stafit akademik, rektorëve, studentëve, madje edhe në përzgjedhjen e administratës.

Ky hulumtim si dhe hulumtime të kësaj natyre që janë bërë në të kaluarën nga Preportr, mbi UP-në kanë gjetur se si shumë profesorë të Universitetit të Prishtinës, janë pjesë e politikës, madje shumë prej tyre ushtrojnë apo kanë ushtruar funksionet më të larta shtetërore e partiake. Pak iniciativa që janë ndërmarrë për ta mbrojtur UP-në nga politika janë shuar që në fillim. Gjendja ka vazhduar e njëjtë. Politika ka dërguar njerëzit e saj në detyra kyçe në universitet.

Një mënyrë e tillë e funksionimit të universitetit për ekspertët e arsimit është vlerësuar të jetë mjaft shqetësuese.

“Një institucion publik i arsimit të lartë duhet të garantojë ruajtjen e vendit të punës për stafin akademik që emërohet ose zgjidhet në disa poste të larta shtetërore, si: ministër, deputet, ambasador e të ngjashme. Megjithatë, universiteti nuk është i detyruar që të emëruarit t’i angazhojë në procesin mësimor gjatë periudhës sa zgjat emërimi i tyre, pikërisht për shkak të pamundësisë për t’i kryer me përpikëri detyrat e punës”, thotë Dukagjin Pupovci, njohës i fushës së arsimit.

Në realitet ndodhë e kundërta. Shumica e këtyre njerëzve, jo që angazhohen me orar të plotë në UP, por këtë angazhim e zgjerojnë edhe në kolegje private.

Vet fakti se dikush është anëtar i një partie politike, sipas Pupovcit nuk do të duhej të ishte pengesë për angazhim në jetën akademike, me kusht që rreshtimi politik të mos ndikojë në kryerjen e detyrave akademike.

Ai mendon që zgjidhja e vetme është që kjo çështje të rregullohet me ligj, duke kufizuar mundësinë që bartësit e funksioneve të larta publike të marrin angazhime shtesë jashtë detyrës që ushtrojnë.

Natyrisht, s’duhet lënë pa përmendur një numër të konsiderueshëm të profesorëve që megjithatë edhe sot e kësaj dite vazhdojnë t’i rezistojnë politikës dhe përmbushin detyrat që i kanë marrë përsipër.

Gjurmëve të politizimit

Ky shkrim analitik është i bazuar në një hulumtim të thellë të Preportr, mbi strukturën dhe lidhjen e profesorëve të Universitetit të Prishtinës me politikën, me mostra nga katër fakultete, përkatësisht atë Filozofik, Ekonomik, Juridik dhe të Mjekësisë. Hulumtimi ka pasur për qëllim të analizojë patronazhin politik dhe të sjellë në pah shkallën e shtrirjes së politikës në UP përmes vetë akterëve kryesor të universitetit- profesorëve universitar.

Për një periudhë prej më shumë së tre muajsh, ekipi hulumtues ka gjurmuar dhe konfirmuar të dhëna për 374 profesorë që kanë qenë subjekt i hulumtimit në këtë agjendë, të cilët gjenden në ueb-faqet e këtyre katër fakulteteve dhe ka dalë që 50 prej tyre figurojnë të kenë qenë apo vazhdojnë të jenë edhe sot akterë politik që politikën e kanë pasur aktivitet primar ndonëse kanë çelikosur pozitat e profesorëve.

Disa prej tyre kanë mbajtur pozitat më të larta shtetërore në vend siç ishte rasti me presidentin Fatmir Sejdiu, profesor në Fakultetin Juridik apo me ish -kryeministrin, Isa Mustafa që është edhe profesor në Fakultetin Ekonomik.

Të gjeturat e Preportr përveç se kanë evidentuar këto 50 raste kur profesorët universitar kanë qenë pjesëmarrës në politikë dhe në institucionet më të larta të vendit, po ashtu tregojnë se politika edhe sot e kësaj dite perceptohet nga profesorët si mundësia e artë për të avancuar karrierën e tyre.

Po ashtu, të dhënat dhe interpretimi i tyre i paanshëm, sugjerojnë se politika është aq e shtrirë në UP saqë vetë zgjedhja e organeve udhëheqëse të universitetit nuk mund të bëhet pa një përkatësi apo përkrahje politike, ku primatin në këtë rrafsh e mbajnë Partia Demokratike e Kosovës, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe nga partitë tjera kudo që iu ka dhënë rasti. E kujtojmë këtu rastin e fundit të zgjedhjes së rektorit Marjan Dema. Ai ka qenë në listën e PDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës.

Preportr në vitin 2013, ka realizuar një hulumtim tjetër të cilin e ka shtrirë në tërë Universitetin e Prishtinës për të parë jo vetëm si bëhet përzgjedhja e stafit dhe organeve udhëheqëse, por edhe sa poste tjera politike dhe publike mbajnë profesorët e këtij Universiteti por edhe profesorët që punojnë në kolegje private. Nga ky hulumtim ka dalë që 102 zyrtarё qё kanё poste politike dhe qё mbajnë pozita tё larta publike punojnë nё UP dhe kolegje private.

Punësimi dhe avancimi në UP kalon përmes dyerve të partive politike

Në katër fakultetet që janë hulumtuar, Peportr ka gjetur të dhëna që flasin për një numër të madh të profesorëve të angazhuar në politikë ndër vite. Nga 54 profesorët që i ka Fakulteti Filozofik, 14 nga ta kanë bartur apo bartin funksione politike, ndër të cilët 9 janë nga PDK-ja, 2 nga AKR-ja, 1 nga LDK-ja, 1 nga Vetëvendosje!, dhe një nga ish Partia Reformiste ORA, megjithëse në zanatin e ri, atë të politikanëve, disa profesorë kanë ndërruar partitë politike më shumë sesa një herë.

Në Fakultetin Juridik, nga 71 profesorë që ka ky institucion, 11 prej tyre kanë qenë apo janë aktiv në politikë, të cilët politikisht janë të kësaj përbërje: 6 nga PDK-ja dhe 5 nga LDK-ja.
Në Fakultetin Ekonomik, nga gjithsej 66 profesorë që i ka i njëjti, figurojnë 18 profesorë që ndër vite zanatin primar e kanë pasur politikën. Nga ta, 10 vijnë nga LDK-ja, 7 nga PDK-ja, dhe një nga Vetëvendosje!

Në Fakultetin e Mjekësisë, gjendja qëndron ndryshe, nga 183 që janë gjithsej, 7 nga profesorët e këtij fakulteti kanë ndarë fatin e politikës me kolegët e lartshënuar. Nga ta, 3 vijnë nga PDK-ja, 1 nga LDK-ja, 1 nga AAK-ja dhe 1 nga Vetëvendosje! Asnjë prej këtyre profesorëve nuk kanë pozita shumë të larta në politikë.

Nga këto katër fakultete, janë hulumtuar gjithsej 374 profesorë, ndër të cilët 50 figurojnë se kanë pasur lidhje direkte me politikën apo shprehur në përqindje, 13.6 % e tyre, përqindje kjo mjaft e lartë që tregon se nuk bëhet fjalë për koincidencë, por ka politizim të thellë, veçmas kur ia shtojmë faktin se këto të dhëna janë vetëm për katër fakultete të UP-së.

Për nga aspekti i funksioneve që profesorët universitar kanë mbajtur apo mbajnë ndër vite, të dhënat flasin për ministra dhe ish-ministra, këshilltarë presidentësh, anëtarë partie, ish-rektorë, kandidatë për deputetë dhe deputetë, zëvendësministra, asamblistë komunal, kandidat për kryetar komune, presidentë dhe kryetar partie, kryeministër, këshilltarë politikë të ministrave, këshilltarë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, nënkryetar partie etj.

Politizimi i Universitetit të Prishtinës sipas kësaj strukture të pozitave institucionale që kanë bartur profesorët që punojnë aty, siç mund të vërehet, ka pasur dimension të thellë. Por s’duhet harruar se politizimi është shfrytëzuar edhe për akomodimet brenda për brenda UP-së. Vetë i pari i Fakultetit Filozofik, përmes aktiviteteve të tij politike në kohën kur ende ishte student, për çfarë edhe kishte respekt, u katapultua nga politika fillimisht në zgjedhjen e tij si profesor e më tutje edhe zgjedhjen e tij si dekan të këtij institucioni, pozitë që vazhdon ta mbajë edhe sot në mandatin e tij të dytë. Si Dugolli janë edhe një varg profesorësh të tjerë të këtij fakulteti të cilët përfituan pozita publike dhe politike në nivele të ndryshme të qeverisjes. Shumica prej tyre edhe kur u emëruan në pozita të larta politike e shtetërore vazhduan pa asnjë problem punën në universitet.

Përveç profesorëve, edhe ish-udhëheqësit e dikurshëm të organizatave studentore përfituan nga politika. Disa prej tyre, sot janë profesorë universiteti e disa të tjerë bartin funksione ekzekutive në kompanitë publike anë e kënd bordeve të pavarura të Kosovës.

Efekti i mbrapshtë i dijës

Kosova është vend i vogël dhe arsimimi është parë shpeshherë si e vetmja rrugë që mund t’i sigurojë asaj një zhvillim ekonomik dhe shoqëror afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Megjithatë, në këtë kuadër, cilësia e arsimimit dhe veçmas atij të lartë, si duket nuk është duke dhënë asnjë efekt real.

Diplomat nuk janë më indikatorë të performancës dhe kompetencave të studentëve po aq sa edhe programet e studimit të cilat shpeshherë nuk akreditohen si pasojë e neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë totale nga ana e stafit akademik të Universitetit. Profesorët e përfshirë në politikë megjithëse jo një zgjedhje e qëlluar, përveç përfitimeve të veta personale, nga pozitat institucionale nuk kanë ndikuar aspak për përmirësimin e cilësisë në universitet. Me dhjetëra departamente vazhdojnë të udhëhiqen nga profesorët me grada shkencore të pamjaftueshme.

Kushtet dhe rrethanat për punë kërkimore janë shpërfillur nga të gjitha qeveritë e pasluftës dhe kanë demotivuar edhe ata pak profesorë serioz që shkencën nuk e kanë rastësi. Mungesa e stafit të kualifikuar në UP, veçmas kur ia shtojmë faktin se ata që kanë kualifikimet e duhura janë akterë politik më shumë sesa profesorë universitar, e ka bërë universitetin një destinacion të ‘paushall’. Përderisa në shoqëritë bashkëkohore më shumë sesa bartja e një titulli vlen kompetenca dhe profesionalizmi, në ambientin e Kosovës profesorët e angazhuar në politikë vazhdojnë ta dominojnë kursin e kualifikimeve të tyre si shtylla rreth së cilës duhet të sillet gjithçka, ani pse performancën e tyre s’kemi as se si ta masim.

INTERFERIMI I POLITIKËS NË UNIVERSITETE ËSHTË MË I PRANISHËM NË VENDET TOTALITARE DHE NË TRANZICION”

Dukagjin Pupovci, njohës i fushës së arsimit

Për faktin se janë mbajtës të dy e më shumë pozitave publike njëherësh, vjen në pyetje edhe mënyra se si profesorët arrijnë të performojnë në kuadër të të gjitha këtyre pozitave. Përgjithësisht, puna akademike është disiplinë e veçantë dhe tërësisht e ndryshme me menaxhimin ditor të misioneve politike dhe ekzekutive.

Hulumtimet e viteve paraprake tregojnë se profesorët e angazhuar në politikë nuki kanë mbajtur ligjëratat me rregull, ndërsa për kohën e konsultimeve as që diskutohet. Mosrespektimi i orarit të ligjëratave, të provimeve, konsultimeve, mosrespektimi i syllabuseve nga profesorët, mosimplementimi i metodave bashkëkohore të mësimdhënies dhe vlerësimit, vlerësimi jo objektiv i studentëve nga profesorët, janë disa nga shkeljet e stafit akademik që përmenden në raportin e procesit të monitorimit të kryer në UP nga Parlamenti i Studentëve (PS) në vitin 2012.

Një organizatë tjetër ORCA këtë vit ka monitoruar orarët e përcaktuara për konsultime me studentë dhe ka parë se me shumë pak përjashtime, pjesa dërrmuese e profesorëve në fakultetet e monitoruara nuk u përmbahen këtyre orareve.

Në vendet e zhvilluar edhe pse është i pranishëm ndikimi i politikës ai nuk manifestohet si tek ne.

Pupovci thotë se interferimi i politikës në universitete është më i pranishëm në vendet totalitare dhe në tranzicion.

“Në mesin e institucioneve që i ekspozohen interferimit politik ka edhe të tilla që janë në top 500, por ai lloj i interferimit politik është më i sofistikuar dhe nuk nënkupton akomodimin e personave që nuk kanë kualifikime akademike përkatëse në ato institucione, siç veprohet në masë të madhe tek ne”, thotë ai.

Pra, sipas tij është një nivel tjetër i interferimit politik që ka të bëjë me sigurimin e lojalitetit ndaj pushtetit, por përmes njerëzve të kualifikuar dhe, jo medoemos, keqpërdorues. Ndërkaq, në ato vende ku politika interferon ashtu siç interferon tek ne, gjendja nuk është shumë më e mirë.

Interferimi tipik i politikës në Kosovë sipas Pupovcit manifestohet në formë të dhënies së gradës shkencore ose akademike ndonjë personi të afërt me politikën, i cili nuk i përmbushë as standardet minimale për një gradë të tillë, pastaj emërimi në poste i personave të afërt me politikën, që nuk punojnë për të mirën e institucionit, por të bosëve të tyre.

Kësisoj, realiteti aktual në rastin e profesorëve me poste publike dhe politike ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë figurën e profesorëve të shpërqendruar në njërën anë dhe menaxherëve të pa efikas në anën tjetër. Përderisa në vendet e zhvilluara formula prej 50 studentësh për një profesor, paraqet limitin pas së cilit shtrohet nevoja për një profesor të dytë, në rastin tonë ky argument pedagogjik nuk merret për konsideratë.