16:41 / E Premte, 25 Maj 2018

Ministri Gashi vizitoi Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka vizituar Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku u prit nga drejtori i aeroportit, Haldun Firat Kokturk.

Gjatë kësaj vizite, ministri Gashi dhe drejtori i ANP-së, Kokturk biseduan lidhur me gjendjen aktuale të sigurisë, punën dhe të arriturat në aeroportin “Adem Jashari”.

Me këtë rast, ministri Gashi u shpreh se aeroporti qëndron jashtëzakonisht mirë, sa i përket sigurisë, kjo duke vlerësuar krijimin e hapësirës për bashkëpunim, e cila ndihmon në koordinimin e veprimeve mes institucioneve të sigurisë dhe aeroportit.

“Është shumë me rëndësi ofrimi i sigurisë, për arsye se për qytetarët që udhëtojnë duhet të mbizotërojë ndjenja e sigurisë, e cila e bënë më të lehtë udhëtimin”, theksoi ministri Gashi.

Ndërsa drejtori i aeroportit, Haldun Kokturk, i prezantoi ministri Gashi projektet e planifikuara të zbatohen të ardhmen në ANP. Ai tha se ka një bashkëpunim shumë të mirë me institucionet e sigurisë dhe është i gatshëm për zbatimin e çfarëdo rekomandimi që i vjen nga MPB.

Po ashtu ministri Gashi vizitoi edhe Agjencinë e Shërbimit të Navigimit Ajror, ku u njoh me rrjedhën e punëve që zhvillohen atje. Ai vlerësoi mekanizmat e kontrollit të cilët i bënë Ministria e Punëve të Brendshme përmes divizionit për Siguri të Aviacionit nga Departamenti për Siguri Publike dhe theksoi se bashkëpunimi i mirë mes MPB-së dhe aeroportit do të vazhdoi edhe në të ardhmen.