16:56 / E Hënë, 16 Korrik 2018 / indeksADMonline

Ministri Hasani nënshkruan marrëveshjen që kjo komunë e Kosovës përfiton 1.5 milion euro!

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për projektin Zonës Ekonomike në Vushtrri “Parku Industrial në Lumadh”.

Më këtë marrëveshje MTI merr përsipër financimin e Zonës Ekonomike “Parku Industrial në Lumadh”, realizimin i së cilës do të fillojë këtë vit dhe do të përfundojë në vitin 2020, ndërsa shuma do të jetë 1.5 milion euro.

Hasani ka thënë se këto zona ekonomike do të shërbejnë si një mundësi e mirë për bizneset vendore dhe të huaja.

“Sot nënshkruam kontratën për fillimin e investimeve në Vushtrri dhe besojmë që është një ditë e madhe për këtë qytet, sepse këtu do të ketë punësim dhe mundësi për bizneset për hapësira të reja. Këto investime janë në kuadër të prioriteteve të MTI-së, që të krijojmë zona ekonomike. Po ashtu, këto zona do të shërbejnë për investitorët e huaj, e konkretisht bizneseve, që do të investojnë në Vushtrri. Ne po marrim përsipër mbështetjen financiare, që kjo zonë mund të kapë shumën e 1.5 milion eurosh, por krejt varet sa do të shkojë projekti, por për pak nuk do ta lëmë keq, dhe për këtë e siguruam kryetarin. Kjo kontratë do të realizohet brenda tri viteve të ardhshme dhe shumë shpejt do të fillojmë punën në këtë zonë”, tha Hasani.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se kjo zonë ekonomike do t’i ketë 14.8 hektarë dhe do të jetë në funksion të zhvillimit të biznesit dhe të krijimit të vendeve të reja të punës.

“Ky është investimi më i madh në 50 vitet e fundit për biznesin në Vushtrri, i cili iu mundëson bizneseve kushte më të mira të punës. Shumë shpejt do të fillojnë investimet në Lumadh dhe pastaj do të fillojë edhe thirrja publike për bizneset që të vendosen aty”, tha Tahiri.

Ky projekt i financuar nga MTI-ja parashihet t’i gjenerojë 1 mijë vende të reja pune pas përfundimit të të gjithë infrastrukturës./Indeksonline/