16:07 / E Martë, 12 Qershor 2018 / indeksADMonline

Ministri i Financave sërish kundër vendimit për rritjen e pagave nga Haradinaj

Gjykata Kushtetuese ka cilësuar se vendimi për rritjen e pagave nga kryeministri Ramush Haradinaj nuk ka shkelur Kushtetutën e vendit.

Në mbledhjen e qeverisë kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka kërkuar që vendimi të zbatohet.

Haradinaj ka kërkuar pikërisht nga Ministria e Financave, e drejtuar nga Bedri Hamza si dhe organet e tjera të vendimmarrjes në këtë çështje të zbatojnë këtë vendim.

Përgjatë votimit të këtij projektligji Ministri i Financave, Bedri Hamza ka qenë ai i cili ka abstenuar.

Hamza ka thënë se i gjithë materiali është dashur të shqyrtohej nga zyra ligjore e kryeministrit duke theksuar se Kosova duhet të ketë sa më shpejtë ligjin për pagat, transmeton Indeksonline.

Pas marrjes së vendimit  në drejtim të Haradinajt ka pasur reagime të shumta se Kosova nuk ka gatishmëri financiare të mbulojë të gjitha këto shpenzime.

Vendimi për rritjen e pagës së kryeministrit Haradinaj dhe kabinetit të tij u mor në muajin dhjetor por që u shfuqizua deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës së bërë nga Lëvizja Vetëvendosje.