19:16 / E Mërkurë, 04 Prill 2018 / indeksADMonline

Ministri i Tregtisë përshëndet vendimin e Thaçit për mos dekretim të Ligjit për Shoqëritë Tregtare

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka përshëndetur vendimin e presidentit Hashim Thaçit për mos dekretimin e Ligjit për Shoqëritë Tregtare.

Hasani ka thënë se duke ua imponuar bizneseve private që në bordet e tyre të kenë përfaqësim 50 përqind të femrave, po ndërhyhej në çështjet e sektorit privat, transmeton Indeksonline.

Ministri Hasani ka deklaruar  gjithashtu se kishte edhe ankesë të mëdha të bizneseve për të cilët kjo ishte një padrejtësi.

Ky është statusi i plotë:

Ditën kur debatuam në Kuvend Projektligjin për Shoqëritë Tregtare e kundërshtova miratimin e amendamentit me të cilin obligohen bizneset private (shoqërit aksionare) që në bordet e tyre të kenë 40 për qind femra, ndërsa pas dy vitesh të bëhet 50 për qind.

Duke ua imponuar bizneseve private që në bordet e tyre të kenë përfaqësim 50 për qind të femrave, ne po ndërhynim në çështjet e sektorit privat.

Me gjithë kundërshtimet tona ai amendament kaloi.

Pas saj patëm edhe ankesa të mëdha të bizneseve për të cilët kjo ishte një padrejtësi.

Sot, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbështetje të nenit 80 dhe nenit 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka marrë vendim për kthimin në rishqyrtim të Ligjit Nr. 06/L – 016 për Shoqëritë Tregtare, të miratuar më 15 mars 2018 në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

E përshëndesim këtë vendim të presidentit Thaçi dhe në të njëjtën kohë kërkojmë nga Kuvendi që ta kthejnë sa më shpejt në rishqyrtim këtë ligj sepse me kalimin e këtij ligji e rregullojmë veprimtarinë e shoqërive tregtare, nxisim dhe lehtësojnë themelimin dhe funksionimin e tyre. Me anë të këtij ligji krijojmë në ambient më të mirë për të bërë biznes në Kosovë.