09:40 / E Mërkurë, 04 Prill 2018 / indeksADMonline

Ministri Ismaili: Sot lansojmë sistemin online për shërime jashtë vendit

Ministri i shëndetësisë, Uran Ismaili, ka zbuluar sistemin e ri online për shërimet jashtë vendit, përmes së cilit qytetarët e Kosovës të cilët do të aplikojnë për trajtime jashtë, do të mund të përcjellin rastin e tyre.

“Qytetarët tanë të cilët aplikojnë për trajtim jashtë vendit, nga sot mund të kontrollojnë statustin e rastit të tyre Online. Kjo është hera e parë që Minsitria e Shëndetësisë krijon një sistem të tillë nga i cili përfitimet janë të shumta. Përveç përfundimit të maltretitimit të qytetarëve, ata ulin edhe shpenzimet e tyre personale pasi që për gjithçka do të njoftohen përmes sistemit”, ka thënë Ismaili. Më tutje, ai ka shtuar se e tëra që duhet të bëjnë ata është të japin numrin e letërnjoftimit në sistem dhe ai do tu tregoj për statusin e rastit të tyre.

“Secili vendim i doktorëve për delegim për trajtim jashtë vendit të ndonjë pacienti futet në sistem me emrat e tyre dhe arsyet përse po delegohet. Po ashtu, përmes tij, ne do të nxjerrim analiza të rëndësishme, si : Nga çfarë sëmundje pacientët po referohen më së shumti për trajtim jashtë vendit, nga cila klinikë po referohen ata, nga cili rajon po vijnë më së shumti qytetarë për të kërkuar trajtim jashtë vendit etj. Duke i mësuar këto të dhëna, ne do të kemi mundësi të ndërhyjmë konkretisht që të shtojmë sa më shumë shërbime në Kosovë në mënyrë që të ulim numrin e qytetarëve që kërkojnë trajtim jashtë”, ka shtuar ai.

Sistemi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për trajtime jashtë vendit do të ndihmoj të evitohet edhe çdo keqpërdorim të mundshëm i cili eventualisht ka mundur të ndodhë gjatë këtij procesi.

Në këtë link, klikoni në anën e djathtë mbi “Statusi i Trajtimit” – shkruani numrin e letërnjoftimit, dhe njoftohuni për rastin tuaj: https://fssh.rks-gov.net/page.aspx?id=1%2C1