16:00 / E Premte, 14 Shtator 2018 / indeksADMonline

Ministri Reçica: Të gjithë e kemi obligim t’i mbrojmë fëmijët tanë

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica, gjatë fjalës së tij me rastin e shqyrtimit të projektligjit për mbrojtjen e fëmijës, tha se të gjithë së bashku kemi detyra dhe obligime për t’i mbrojtur fëmijët tanë, për t’iu krijuar atyre barazi, arsim dhe shëndetësi më të mirë dhe një herësh ti bëjmë krenarë për vendin tonë.

“Ky projektligj avancon garantimin më të mirë të mbrojtjes dhe të drejtave të fëmijëve në Kosovë, nëpërmjet avancimit të shërbimeve”, tha Reçica.

Ministri Reçica tha se, dikasteri që ai drejton është përgjegjës për zhvillimin e politikave sociale, hartimin e legjislacionit, standardeve dhe planeve strategjike për ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare, me theks të veçantë për mbrojtjen e fëmijëve.

“Nuk do të reshtim që fëmijëve tanë, atyre që janë e ardhmja e ndritshme e vendit, t’u ofrojmë mbrojtjen e merituar”, shtoi ministri./Indeksonline/