15:01 / E Hënë, 30 Prill 2018 / indeksADMonline

Ministri Tahiri: Vrasja e Ivanoviqit do të zbardhet

Kanë kaluar katër muaj që nga vrasja e liderit të serbëve të Veriut të Mitrovicës, Oliver Ivanoviq. Deri tani askush nuk është akuzuar përkitazi me këtë krim që alarmoi autoritetet e sigurisë. Kreu i Ministrisë së Drejtësisë, Abelard Tahiri shpreson se ky rast, pavarësisht hezitimit për të bashkëpunuar nga autoritetet serbe, do të zbardhet në një të ardhme.

“Në radhë të parë unë besoj fuqimisht se organet tona të zbatimit të ligjit janë duke e bërë punën e tyre për zbardhjen sa më të shpejtë të rrethanave dhe kryerësve të aktit kriminal të privimit nga jeta të ish politikanit Ivanoviq. Si ministër i drejtësisë, duke respektuar marrëveshjet e Brukselit për bashkëpunim juridik në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, jam angazhuar dhe kemi bërë të mundur që institucionet tona të kenë mundësi komunikimi me organet e zbatimit të ligjit të Serbisë në lidhje me shkëmbimin e provave eventuale që ndërlidhen me këtë rast”, ka thënë Tahiri për Indeksonline.

Ndërkohë ai ka bërë të ditur se deri më tani informatat e ofruara nga pala serbe lidhur me fazat e hetimit të këtij rasti nuk kanë qenë të mjaftueshme.

“Deri më tash, Prokuroria e Kosovës i është drejtuar me pesë shkresa Prokurorisë së Serbisë. Mund të konfirmoj se ka pasur një shkëmbim reciprok të letrave edhe nga ana e prokurorisë serbe, por që informatat e ofruara nga pala serbe deri në këtë fazë nuk kanë qenë të mjaftueshme për të konsoliduar provat për zbardhjen e rrethanave dhe kryerësve të aktit. Informatat e ofruara, sipas vlerësimit të organeve tona, janë të cekëta dhe jo relevante”, ka shtuar Tahiri.

Gjithashtu sipas të njëjtit kjo qasje në radhë të parë mund të kuptohet si mos interesim dhe si mosgatishmëri e Serbisë për të kontribuar në zgjidhjen e këtij rasti.

“Megjithatë, kjo për asnjë moment nuk do të jetë pengesë për organet tona të zbatimit të ligjit për të zgjidhur sa më parë dhe për të vënë para drejtësisë përgjegjësin apo përgjegjësit në lidhje këtë vepër kriminale”, ka përfunduar Tahiri.

Dy muaj më parë ministri Tahiri kishte bërë të ditur për Indeksonline se Serbia ishte përgjigjur vetëm në dy kërkesa nga pesë sa ishin  dërguar gjithsej tek autoritet serbe për rastin Ivanoviq.

Për vrasjen e liderit serb në Kosovë reagimet patën qenë shumë të zëshme edhe nga ndërkombëtarë të shumtë, të cilët kërkuan që zbardhja e këtij rasti të jetë sa më e shpejtë dhe që kryesit e veprës të vendosën para gjyqësisë./Indeksonline/