22:07 / E Mërkurë, 14 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Ministria e Drejtësisë kundër projektligjit për amnisti (Dokument)

Një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës patën marrë iniciativën, që përmes mbledhjes së nënshkrimeve të kërkohet amnisti për të gjithë deputetët të cilët hodhën gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës përgjatë viteve 2015-2016, veprime këto që u bënë me arsyetimin për t’i ndal marrëveshjet e dëmshme për vendin.

Janë pikërisht 15 zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë këtu deputetë dhe ministra, ndaj të cilëve ka procedura gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, për arsye të hedhjes së gazit lotsjellës gjatë mandatit të kaluar legjislativ të Kuvendit.

Aktualisht ky proces gjyqësor është duke u zhvilluar vetëm ndaj katër deputetëve të Vetëvendosjes, por që në listën e atyre që kanë hedhur gaz lotsjellës ka edhe deputetë dhe zyrtarë të lartë qeveritar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.

Indeksonline ka siguruar dokumentacionin ku kuptohet se me datën 24 janar 2018, Ministria e Drejtësisë ka pranuar shkresën nr.020/2018, përkatësisht kërkesën nga Zyra Ligjore e Kryeministrit, për dhënie të mendimit lidhur me nismën legjislative për Projektligjin për Amnisti.

Ndërkohë në këtë dokument është bërë e qartë se lidhur me konceptin e amnistisë, Gjykata Kushtetuese në shqyrtimin e motiveve për nxjerrjen e një ligji për amnisti ka theksuar se ato “janë të ndryshme, por në përgjithësi ligjet për amnisti nxirren për shembull gjatë konfliktit për t’i dhënë fund dhunës, si pjesë e një marrëveshje paqësore, në mënyrë që të promovohet pajtimi mes palëve të përfshira, etj. Amnistia mbulon përveç individëve që janë dënuar dhe janë duke vuajtur dënimin e tyre, edhe individët që janë duke u hetuar apo që do të hetohen. Për të bërë dallimin duhet të shikohen motivet për nxjerrjen e një ligji për amnisti”.

Më këtë rast, Ministria e Drejtësisë ka konsideruar se në rastin e nismës ligjore, motivet e kësaj nisme, nuk janë në harmoni me motivet për të cilat zakonisht nxirret ligji për Amnisti e si të tilla i ka theksuar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese  i cekur më lartë.

Kundër kësaj nisme të deputetëve dje ishte deklaruar edhe kreu i Ministrisë së Drejtësisë, Abelard Tahiri.

“Nisma legjislative për propozimin dhe hartimin e Projektligjit për Amnisti, e ndërmarrë së fundmi nga disa deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, është përpjekje direkte për të legjitimuar dhunën e manifestuar nga deputetë të mandatit të kaluar brenda hapësirave të institucionit të Kuvendit. Kjo nismë legjislative ka për qëllim të përjashtojë nga ndjekja penale, individë të caktuar, të cilët kanë përgjegjësi penale individuale për veprat për të cilat janë duke u hetuar dhe për një pjesë edhe janë dënuar”, ka thënë ministri Tahiri.

Sipas tij, projektligji mëton të vendosë një praktikë të pa precedentë deri më tani dhe si e tillë, edhe cenon parimin e barazisë para ligjit për të gjithë qytetarët, dhe për më tepër i lëndon përpjekjet dhe angazhimet e përbashkëta institucionale për fuqizimin dhe konsolidimin e sundimit të ligjit dhe Shtetit të së Drejtës.

“Ministria që unë udhëheqë, në bazë të përgjegjësive ligjore, sipas kërkesës së Zyrës së Kryeministrit, ka përgatitur Opinionin e saj, i cili evidenton se kjo nismë paraqet regres për rendin juridik dhe mbi këtë bazë do të angazhohem edhe personalisht që kjo nismë të mos mbështetet si e tillë”, ka thënë ai.

Më poshtë gjeni opinionin e MD-së sipas kërkesës së Zyrës së Kryeministrit: