08:31 / E Mërkurë, 14 Mars 2018

Ministria e Shëndetësisë i lë specializantët 4 muaj pa paga

Ministria e Shëndetësisë, e cila drejtohet nga ministri Uran Ismaili, nuk ua ka paguar pagat që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar specializantëve të mjekësisë, ndonëse edhe dy javë kanë mbetur deri në fund të muajit mars.

Bëhet fjalë për vonesa rreth katërmujore në pagesa për specializantët e performancës, ndonëse të njëjtit kanë kontrata valide të nënshkruara me këtë dikaster qeveritar.

Prej dhjetorit të vitit të kaluar e deri më tani nuk kanë marrë paga as specializantët e kategorisë C, të cilët e kishin marrë specializimin nga institucionet private shëndetësore dhe që janë futur në listë të pagave me vendim të ish-ministrit Imet Rrahmani, përderisa këtyre mjekëve që janë duke e vazhduar specializimin u kanë mbetur pa vazhduar kontratat nga Ministria e Shëndetësisë.

“Pagën e fundit e kemi marrë në nëntor të vitit të kaluar dhe prej atëherë Ministria e Shëndetësisë nuk na ka paguar, ndonëse ministri Uran Ismaili në fillim të mandatit të tij kishte premtuar paga të rregullta për specializantët, duke e argumentuar këtë edhe me rritjen e buxhetit për shëndetësinë në rreth 200 milionë euro”, thotë për “Zërin” njëri nga specializantët.