16:18 / E Hënë, 19 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Ministria lë pa barna tri grupe pacientësh të sëmurë kronikë

Të sëmurët nga leukemia kronike, diabeti dhe epilepsia kanë mbetur pa barna, pasi që QKUK dhe spitalet tjera nuk janë duke u furnizuar nga Ministria e Shëndetësisë

Tre grupe pacientësh të sëmurë me sëmundje kronike të cilët duhet të marrin për çdo ditë barna për të parandaluar rrezikimin e jetës, nuk po marrin barnat nga shteti. “Kurrë më keq nuk ka qenë furnizimi me barna”, thotë një mjek në QKUK.

Fahrije Bytyqi, e prekur nga sëmundja e leukemisë kronike, e ka shumë të vështirë ta përballojë këtë sëmundje nëse nuk merr një tabletë ‘Imatinib’ 400 mg për çdo ditë. Por asaj po i mungojnë këto barna pasi nuk po furnizohen nga Ministria e Shëndetësisë që nga muaji mars i vitit të kaluar.

Bytyqi tani duhet t’ia bëjë çarenë vetës dhe t’i sigurojë paratë për blerjen e barnave, një pako e të cilave kushton mbi 2 mijë euro. Fahrija thotë se tri shoqe të saj nga Prizreni, njëra vajzë 26 vjeçe, kanë ndërruar jetë vitin e kaluar pasi nuk kanë pasur mundësi të marrin terapinë e barnave, shkruan Gazeta Shneta.

Klinika e Hematologjisë në QKUK e cila e trajton këtë sëmundje, ka konfirmuar se rreth 40 pacientë nuk janë duke u furnizuar me këto barna. Aty thonë se nëse terapia nuk merret çdo ditë, atëherë sëmundja mund të kalojë në fazën tjetër, e cila rrezikon jetën e pacientit.

Në gjendje të njëjtë janë lënë edhe pacientët që vuajnë nga diabeti. Tash e disa muaj mijëra pacientë në disa komuna nuk po furnizohen me insulina. Poashtu furnizimi po mungon edhe për 1200 pacientët e sëmurë nga epilepsia.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, pas ardhjes në këtë pozitë është krenuar me rritjen e buxhetit për blerjen e barnave prej 7 milionë euro. Megjithatë furnizimi po mungon. Ai arsyetohet se janë duke bërë revidimin e Listës Esenciale si dhe gjetjen e një mënyrë për të shmangur blerjen e barnave me çmime më të larta sesa në treg.

Kryetari i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Besim Kodra, thotë se kjo rritje e buxhetit mund të ketë efekte negative nëse nuk ka përgjegjësi, transparencë dhe llogaridhënie.

“Në kuadër të rritjes së përgjegjësisë dhe llogaridhënies, do të duhej të ishte edhe rritja e numrit të inspektorëve shëndetësorë të cilët janë jashtëzakonisht pak”, konsideron Kodra.

Sipas tij, nëse nuk funksionalizohet Sistemi Informativ Shëndetësor dhe Sigurimet Shëndetësore, atëherë do të jetë shumë pak e pritshme për ndryshime në këtë sektor.

“Sa i përket furnizimit me barna, ai është në pikën më të keqe të mundshme. Mendoj se sistemi i prokurimit në këtë sektor, më shumë i ka dëmtuar pacientët se sa i ka ndihmuar. Pacientët tani për tani janë duke blerë vet barna nga lista esenciale, si pasojë e procedurave burokratike të prokurimit, të cilat nuk ua kompenson askush! Me një fjalë, prokurimi synon të ruaj buxhetin publik nga keqpërdorimet, ndërsa pacientët me buxhet vetanak i blejnë barnat”, shprehet Kodra.

Ai vlerëson se për mungesën e barnave tek pacientët nuk mërzitet askush, përderisa tenderët dështojnë disa herë për shkak të ‘manipulimeve’, asnjë zyrtar nuk jep përgjegjësi për këtë.

“Kjo nënkupton se nuk ka llogaridhënie në këtë drejtim”, deklaron Kodra.

Ai shton se lista e barnave duhet të rishikohet, por edhe të rritet buxheti për blerjen e tyre, tenderët të jenë më transparent dhe personat që kanë abuzuar më herët të shkarkohen. Poashtu kompanitë farmaceutike të cilat kanë korruptuar zyrtarët, të futen në listën e zezë.