11:28 / E Diele, 12 Gusht 2018 / indeksADMonline

Ministrja Hoxha: Liberalizimi i vizave i rëndësishëm për të rinjtë kosovarë

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Rinisë, në prani të udhëheqësve rinor të studentëve, OJQ-ve rinore, rinisë së partive politike, si dhe koordinatorit nacional për rini, Avdullah Hasani, mbajti fjalë rasti duke theksuar se është një mundësi e mirë që të gjithë së bashku të mblidhemi rreth entuziazmit, kreativitetit dhe energjisë së të rinjve.

“Në ditët e sotme, kur kemi ndryshime të shpejta në botë, zhvillim të teknologjisë dhe kur gjatë viteve të fundit mediat sociale kanë shkaktuar ndryshime të mëdha sociale dhe politike, forca e rinisë është më e rëndësishme se asnjëherë më parë”, theksoi Ministrja Hoxha, dhe shtoi se çdo ditë duhet të mundohemi që ta shohim botën përmes syve të të rinjve, kjo është mënyra më e mirë për të ndihmuar të rinjtë dhe për t’u dhënë mundësi që të jenë pjesë sa më aktive e shoqërisë.

Siç e dini, ceku Ministrja, Kosova ka marrë rekomandimin pozitiv për përmbushjen e kritereve të kërkuara për liberalizimin e vizave. Liberalizimi i vizave është i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e vendit por më së shumti për të rinjtë tanë, do të jetë një mundësi më shumë për të rinjtë tanë dhe do t’u hap dyert e së ardhmes.

“Ne kemi rini të talentuar e të suksesshme dhe nuk ka nevojë të migrojë ilegalisht në vendet e BE sepse ka potencial që të jenë partnerë me të rinjtë e vendeve të tjera”, vuri në dukje Ministrja Hoxha, dhe shtoi se është koha e fundit për pjesëmarrje sa më të madhe të rinisë në jetën publike, në Dekadën e re.

Aktualisht, papunësia e të rinjve dhe mungesa e lëvizjes së lirë janë sfidat kryesore për të rinjtë tanë, theksoi Ministrja Hoxha, Qeveria është e përkushtuar për të adresuar sfidat me të cilat përballen sot rinia jonë duke thënë se duhet të fokusohemi në reformat në arsim, të rinjtë tanë të kenë mundësinë që të jenë konkurrent për tregun e punës në vend dhe jashtë.

Në ditën botërore të rinisë, Ministrja Hoxha bëri thirrje për krijimin e partneriteteve të reja dhe bashkimin e përpjekjeve në eliminimin e të gjitha pengesave me të cilat përballen të rinjtë, duke i bërë ata më pak të ndjeshëm ndaj çdo lloj përjashtimi, në mënyrë që ne të gjithë ta shohim botën përmes syve të tyre.

Mbrëmë, Ministrja Hoxha së bashku me z. Hasanin, lansoi mesazhin për këtë ditë në ekranin led, “Rini, urime Dita juaj!”.