13:06 / E Premte, 23 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Ministrja Hoxha vlerëson kontributin e Norvegjisë në proceset integruese

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur sot në takim, ambasadorin e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, me të cilin diskutoi për sfidat dhe të arriturat e procesit integrues.

Ministrja Hoxha, e vlerësoi lartë përkrahjen që i erdhi nga vendi mik Norvegjia, si në aspektin politik, ekonomik dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, si dhe projekteve të cilat mbështesin realizimin sa më të shpejtë të MSA-së, Agjendës së Reformave Evropiane dhe Reformat Ekonomike.

“Procesi integrues është rrugë e pandalshme e vendit tone, duke qenë gjithëpërfshirëse në nivel lokal dhe qendror të institucioneve të Kosovës, dhe në këtë proces, mbështetje të fuqishme i ka dhënë Mbretëria e Norvegjisë. Kemi rezultate në luftimin e korrupsionit dhe këtë ne nuk do ta ndalim”, theksoi Ministrja Dhurata Hoxha, duke mirëpritur përkrahjen e Norvegjisë për zbatimin e MSA-së.

Ambasadori norvegjez, Per Strand Sjaastad, theksoi se Norvegjia mbetet e përkushtuar për përkrahjen e proceseve në të cilat ndodhet Kosova, jo vetëm në zbatimin e MSA-së, ngritjen e cilësisë së jetës me projektet infrastrukturore por edhe në fushën e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe rritjen e mirëbesimit.

Ministrja Hoxha theksoi edhe rëndësinë e përkrahjes nga Norvegjia me rastin e integrimit në organizmat ndërkombëtar dhe fuqizimin e subjektivitetit shtetëror të Kosovës.