16:05 / E Enjte, 12 Korrik 2018 / indeksADMonline

“Mos u plaksh”, në Kosovë të moshuarit e kanë gjendjen e keqe

Të moshuarit në Kosovë kanë standarde të këqija të jetës si pasojë e pensioneve të vogla, varfërisë dhe varësisë nga familjet.

Në raportin e quajtur “Mos u plaksh” që sot ka publikuar Iniciativa Kosovare për Stabilitet kanë dal të dhëna se shtëpitë e të moshuarve në Kosovë nuk kanë kushte të përshtatshme banimi, si dhe shërbimet sociale nuk janë të zhvilluara.

Me këtë rast në Kinemanë ABC është shfaqur një dokumentar ku tregon për jetën e pensionistëve të Kosovës.

Të moshuarit që ishin pjesë e dokumentarit treguan se para luftës kishin pasur kushte më të mira dhe pensione më të larta sesa tash.

Florina Duli – Sefaj, drejtore ekzekutive e IKS-së, tha se e kanë parë të arsyeshme të realizojnë një hulumtim të tillë duke marrë parasysh se kjo grupmoshë e njerëzve në Kosovë janë të anashkaluar.

Hulumtuesja Brikenë Hoxha prezantoi të dhënat e këtij hulumtimi, duke treguar se anketa është realizuar me 600 të moshuar.

Ajo tregoi se prej të anketuarve, vetëm 4 përqind e tyre janë aktivë në tregun e punës, kurse vetëm 9 përqind kanë deklaruar se do të punonin nëse do t’u ofrohej një mundësi e tillë.

“Nga 1.7 milionë banorë në Kosovë, vetëm 6.2 përqind janë mbi 65 vjet. Me një pjesëmarrje të vogël në elektorat, ata janë shpërfillur për një kohë të gjatë si nga politikanët, shoqëria civile e gjithashtu nga shoqëria në përgjithësi. As nga Qeveria dhe nga sektori privat nuk po del të ketë interes të madh apo vullnet për të krijuar ente të posaçme të kujdesit për të moshuar, e sa iu përket qasjes dhe shërbimeve shëndetësore janë të nivelit që lënë shumë për të dëshiruar”, tha Hoxha.

Raporti hulumtues ka theksuar edhe mungesë të aktiviteteve për grupmoshën e tretë të Kosovës. Të pyetur se me çfarë aktivitete merren, 43.9 përqind e tyre kanë deklaruar se nuk merren me asgjë.

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Çerkin Dukolli, tha se e gjithë shoqëria duhet të mobilizohet për t’u krijuar aktivitete të moshuarve.

Ai sugjeroi që mediat e shkruara të cilat shtypin gazeta, por edhe shtëpitë botuese t’u dërgojnë botime Shtëpisë së të Moshuarve në mënyrë që ata ta kalojnë kohën sado pak me lexim.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në angazhimet e saja të përditshme, për të përmbushur të gjithë ato obligime që dalin nga Ligji për Shërbime Sociale dhe Familjes, ka licensuar mbi 800 persona punëtorë social dhe tani kur po flasim, I kemi 25 OJQ të licensuara si ofrues të shërbimeve sociale dhe familjes. Gjithsesi kemi aprovuar edhe 22 standarde minimale për ofrimin e këtyre shërbimeve sociale nëpër familje”, ka thënë Dukolli.

Ndërsa Sylejman Meta, përfaqësues i Sindikatës së Pensionistëve të Kosovës ka thënë se përkundër mundësive që ka Kosova duke ndjekur modelet e shteteve të jashtme, çështja sociale për të gjitha grupmoshat ende nuk është zgjidhur si duhet.

“Realisht, deri më tani është bërë shumë pak për mos me thanë aspak. Deri në vitin 2004 kemi marrë vetëm 28 euro, njëherë marka, tani u shndërruan në euro. Mandej, 80 euro kemi marrë deri në vitin 2010, për të kaluar në 140 në mënyrë shabllonike dhe e kemi përcjell me kujdesin më të madh hartimin e ligjit të skemave pensionale e cila është tani në fuqi, të cilën e kemi kundërshtuar me peticion para se me dalë në aprovim. Në ditën e aprovimit kemi bërë protestë, sindikata prej të gjitha qyteteve të Kosovës kanë ardhë dhe kemi protestu”, ka thënë Meta.

Në Kosovë aktualisht janë katër shtëpi për përkujdesjen e personave të moshuar.

Shtëpia e Pleqve në Prishtinë me 130 shtretër, në Skënderaj me 20 shtretër, në Istog me 20 shtretër si dhe në Graçanicë me 10 shtretër.

Temat: