20:19 / E Shtunë, 19 Maj 2018 / indeksADMonline

Mosfunksionimi i matësve të ajrit, qytetarët të painformuar për cilësinë e ajrit

Prishtina këtë vit është ranguar e para në listën e qyteteve më të ndotura në botë. Kjo pas matjeve të Ambasadës Amerikane, ku kryeqyteti i Kosovës për një periudhë ka qëndruar e para sa i përket grimcave të rrezikshme PM10 dhe PM12.

Mirëpo, këtë ajër të ndotur qytetarët nuk e kanë thithur vetëm në këtë vit. Në një raport të publikuar bëhet e ditur se gjendja e ajrit përgjatë vitit 2016 dhe 2017 nuk ka qenë aspak e mirë.

Sipas këtij raporti, një prej mangësive kryesore të stacioneve monitoruese është se një pjesë e konsiderueshme e tyre, për një periudhë jo të shkurtër kohore, si gjatë vitit 2016 ashtu edhe gjatë vitit 2017, kanë qenë jo funksionale, dhe si të tilla nuk kanë raportuar të dhëna për cilësinë e ajrit për muaj të tërë. Arsyeja kryesore e mos funksionimit të stacioneve ka të bëjë me mungesën e mirëmbajtjes dhe servisimit të vazhdueshëm të tyre, transmeton Indeksonline.

Me këto sisteme jo funksionale e pa të dhëna sidomos në ato raste kur ndotja e ajrit në vend është shumë e rëndë, ndikon që qytetarët të mos jenë në dijeni në kohën e duhur për të marrë masat e nevojshme për të evituar ekspozimin ndaj një ndotje të tillë të ajrit. Po ashtu, parregullsitë e tilla në sistemin e monitorimit dhe raportimit të të dhënave e bëjnë shumë të vështirë për vendimmarrësit identifikimin e masave konkrete për tu ndërmarrë për të përmirësuar gjendjen e cilësisë së ajrit.

Siç shihet në këtë diagram që është pjesë e raportit të ZKA-së, një numër shumë i vogël i stacioneve ka qenë funksional gjatë tërë vitit 2016 (17%). Pjesa dërrmuese e stacioneve ose kanë qenë pjesërisht funksional (58%) ose jashtë funksionit (25%).

Stacionet të cilat kanë qenë funksionale gjatë tërë vitit janë vetëm stacioni i vendosur në Prishtinë në oborr të IHMK-së si dhe stacioni i Drenasit.
Ajo çka është me shqetësuese në këtë mes është se një nga arsyet se pse nuk kanë funksionuar stacionet monitoruese është për shkak se janë vjedhur ose dëmtuar nga njerëzit.

“Stacioni i vendosur në Dardhishtë të Komunës së Obiliqit ka qenë jashtë funksionit për shkak që pjesa më vitale e stacionit është vjedhë. Ngjashëm ka ndodhur edhe me stacionin e vendosur në Mitrovicë, ku për shkak të dëmtimit që i është bërë kondicionerit të ajrit nga faktori njeri, ky stacion nuk ka gjeneruar asnjë të dhënë për vitin 2016. I vetmi hap i ndërmarrë nga IHMK në këtë aspekt është paraqitja e rasteve në polici, mirëpo masa konkrete të sigurisë së këtyre stacioneve nuk janë ndërmarrë. Dy stacionet e tjera që nuk kanë qenë funksionale gjatë vitit 2016 janë stacioni i Pejës për shkak të propozimit për ta dislokuar, si dhe stacioni i Brezovicës për shkak të njëjtës arsye si dhe për shkak që tre prej parametrave të këtij stacioni janë dislokuar në stacionin e Drenasit”, thuhet tutje në këtë raport, transmeton Indeksonline.

Problemet e njëjta janë evidentuar edhe gjatë vitit 2017. Në këtë vit vetëm 17% e stacioneve kanë qenë funksionale gjatë pjesës dërrmuese të vitit, ndërsa 33 % e stacioneve kanë qenë jashtë funksionit për më shumë se 7 muaj gjatë vitit.

Tutje në këtë hulumtim thuhet se në vitin 2017 ka pasur stacione të monitorimit të cilat ndonëse kanë qenë të vendosura në zona me ndonjë të lartë siç janë (siç janë Palaj në Obiliq, Hani i Elezit, Gjilani) të cilët kanë pasur mungesë të dhënave për më shumë se gjashtë muaj gjatë vitit.

Përveç kësaj, gjatë vitit 2017, stacioni i monitorimit në Pejë, Prizren, Han të Elezit, Gjilan dhe Palaj (Obiliq) nuk kanë asnjë të dhënë të raportuar për PM10 dhe PM2.5 gjatë muajve kritik janar, shkurt dhe mars.
Dy stacionet e monitorimit në Prishtinë si dhe stacioni në Han të Elezit nuk kanë të dhëna të raportuara për PM10 dhe PM2.5 gjatë muajit shtator.
IHMK duke filluar nga gjysma e tetorit të vitit 2017 e bënë raportimin në baza ditore vetëm për dy stacionet e vendosura në Prishtinë.

Ndërkaq për tri stacionet e vendosura në Obiliq ka filluar me raportime ditore prej datës 12 Janar 2018, duke raportuar vetëm grimcat e imëta PM10 dhe PM2.5, kjo tregon se vetëm kur gjendja është bërë alarmante, IHKM ka raportuar për këto grimca të rrezikshme për qytetarët, shkruan Indeksonline.

Duke qenë se numri maksimal i tejkalimeve të lejuara brenda vitit të vlerave të PM10 është 35 ditë, ky auditim ka gjetur se gjatë viti 2016 ka pasur stacione që kanë pasur tejkalime të këtij parametri rreth 93 ditë, si dhe gjatë vitit 2017 deri në 68 ditë. Ndërkohë që kur janë analizuar vlerat maksimale të PM10 të mesatares ditore, ka pasur ditë kur vlerat e PM10 kanë arritur në rreth 291 (viti 2016) dhe 326 (viti 2017), krahasuar me vlerën maksimale të lejuar që është 50. Në anën tjetër, edhe vlerat maksimale të PM2.5 përgjatë një ore kanë arritur nivele jashtëzakonisht të larta dhe një gjë e tillë është akoma më alarmante sa i përket shëndetit të njeriut.
Si grimcat PM10 ashtu edhe ato PM2.5 janë shumë të rrezikshme për shëndetin e njeriut. Efektet e mundshme që mund të shkaktohen nga këto grimca janë rritja e numrit të sëmurëve me astmë bronkiale, bronkitet kronike, sëmundjet kronike të mushkërive tek moshat e shtyra, rritja e numrit të sëmundjeve kardiovaskulare dhe respiratore, kanceri, shkurtimi i jetës si dhe rritja e shkallës së mortalitetit./Indeksonline/

Temat: