13:30 / E Enjte, 29 Mars 2018 / indeksADMonline

MPB deklarohet për ndalimin e pesë Gulenistëve

Ministria e Punëve të Brendshme ka dhënë detaje për ndalimin e pesë shtetasve të Turqisë nga Policia e Kosovës. Sipas MPB-së, gjatë administrimit të provave është konstatuar se për personat Mustafa Erdem, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Cihen Ozkan dhe Hasan H. Gunakan, ka bazë të mjaftueshme ligjore që të merren masat për revokimin e leje qëndrimit të tyre në territorin e Republikës së Kosovës për arsye të përcaktuara me ligjin për të huaj.

“Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion në bazë të mandatit të saj për zbatimin e ligjit për të huajt, ka revokuar lejet e qëndrimit për shtetasit të Turqisë. Duke iu referuar rasteve konkrete Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion ka vepruar në bazë të Ligjit për të Huaj dhe mandatit që ka për shqyrtimin dhe vendosjen e të gjitha kërkesave që kanë të bëjnë me leje qëndrim”, thuhet në njoftimin e MPB-së, transmeton Indeksonline.

Sipas MPB-së, kjo është një procedure ligjore e cila është aplikuar edhe në rastet e mëhershme, si për të huajt me leje qëndrim, gjithashtu edhe për të huajt që kanë fituar shtetësinë e Kosovës dhe u është revokuar për arsye të sigurisë, apo procedurave tjera të parapara me ligjin përkatës.

“Prandaj ne si organ kompetent, gjatë administrimit të provave kemi konstatuar se për personat në fjalë, ka bazë të mjaftueshme ligjore që të merren masat për revokimin e leje qëndrimit të tyre në territorin e Republikës së Kosovës për arsye të përcaktuara me ligjin për të huaj, konkretisht nenit 6 të ligjit ku flet për refuzimin apo revokimin e lejës së qëndrimit për rrethanat e sigurisë shtetërore”, thuhet në reagimin e MPB-së./Indeksonline/

Temat: