22:47 / E Shtunë, 14 Korrik 2018

MPB reagon për hedhjen e fishekzjarrëve në Prishtinë

Ndonëse u fol shumë për fishekzjarrët, edhe u protestua, të njëjtat sonte janë lëshuar në Prishtinë, ani pse nuk kanë pasur leje nga Komuna veçse nga Departamenti i Sigurisë Publike i MPB-së.

Për hedhjen e fishekzjarrëve, ka reaguar edhe Zëvendës Ministri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra.

Ai në një prononcim për Indeksonline ka treguar se Departamenti i Sigurisë Publike në kuadër të MPB-së ka dhënë leje për këtë, por Shkodra thotë se  nuk ka qenë vendim i duhur.

Sipas tij,  është ndër lëshimet e mëdha të këtij departamenti.

“Unë mendojë se një leje të tillë prej anës së Departamentit të Sigurisë Publike në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme  nuk ka qenë d.m.th  vendim i duhur në asi përmasa prej 1 mijë kilogramësh që dëmton ambientin. Edhe kumtojë se është njëra ndër lëshimet e mëdha të atij departamenti i cili duhet të tregohet më i kujdesshëm kur ka të bëjë me përmasat e fishekzjarrëve në hapësira të banueshme“, ka thënë Shkodra për Indeksonline.

Ai ka shtuar se të hënën do ta diskutojnë arsyen e dhënies së kësaj leje.

“Besoj se të hënën do ta diskutojmë në kabinet të Ministrisë së Punëve të Brendshme  dhe do të kërkojmë arsyen se pse është lëshuar një leje e tillë të cilat kanë qenë analiza paraprake para se t’u jepet një leje e tillë organizatorëve  të këtij manifestimi”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, ndezja e fishekzjarrëve ka bërë që OJQ-të dhe shoqëria civile të protestojnë kundër hedhjës së tyre./Indeksonline/