15:49 / E Mërkurë, 11 Prill 2018

MPMS dhe HELP mbështesin mbi 600 biznese të vogla

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli, sot mori pjesë në lansimin e projektit “Fuqia e granteve të vogla”, të Organizatës gjermane ‘Help’, bashkëfinancuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe komunat partnere.

Zëvendësministri Dukolli tha se politikat që kanë të bëjnë me fushën e punësimit dhe mirëqenies sociale, janë jo vetëm një nga prioritetet më të rëndësishme të Qeverisë, por janë të ndërlidhura ngushtë edhe me agjendën e integrimit në BE-së dhe në përputhje me angazhimet dhe objektivat e Programit Evropian të Reformave Ekonomike dhe Marrëveshjes së Stabilizim-  Asociimit.

“Përkundër përmirësimeve të fundit në tregun e punës dhe veprimeve të ndërmarra në vazhdimësi  papunësia mbetet sfida kryesore ekonomike dhe sociale në vend. Rritja ekonomike e kohëve të fundit, është e pamjaftueshme për të përmirësuar dukshëm performancën e tregut të punës” tha ai.

Ai ka shtuar se, po analizohen mundësitë për reforma në sistemin e politikës së punësimit të Kosovës dhe krijimin e një fondi, që duhet të organizohet brenda Agjencisë së Punësimit,  i cili do të shfrytëzohet për implementimin më efikas dhe përmbajtësor të politikave të punësimit, ku natyrshëm  do të rritej edhe  numri i përfituesve.

Ai ka falënderuar të gjithë partnerët të cilët kanë kontribuuar së bashku me Organizatën ‘Help’ në rrugëtimin e suksesshëm të projektit, “Mbështetje për stabilitetin socio-ekonomik, përmes fuqizimit të mikro-biznesit në Kosovë. “Si rezultat i këtij angazhimi të përbashkët janë përkrahur dhe  krijuar mbi 600 biznese të reja dhe ekzistuese,  janë krijuar vende të reja të punës,  janë trajnuar shumë persona tjerë, dhe të gjitha këto kanë ndikuar pozitivisht në jetën dhe ekonomitë familjare të tyre” tha ai.

Duke falënderuar Qeverinë Gjermane dhe donatorët tjerë që përmes organizatës HELP Kosova kanë implementuar këtë projekt, zëvendësministri Dukolli, tha se MPMS mbetet e përkushtuar me  angazhime dhe projekte konkrete  që do të ndihmojnë punësimin dhe rritjen e  tregut të punës në vend.​

Temat: