17:32 / E Mërkurë, 31 Janar 2018 / indeksADMonline

Mustafa: Përgjegjësia e shtetit është e jona, lavdia e Pajazitit dhe heronjëve tjerë

Në Akademinë Përkujtimore në 21-vjetorin e rënies së heronjve, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu, ishte pjesëmarrës edhe ish komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa.

Ai ka përkujtuar komandantin Pajaziti së bashku me shokët e tij, duke thënë se ishte ai që mori hapat e parë për lirinë, kur vendi ishte okupuar nga ushtria serbe.

“Kur armiku mbylli rrugët dhe shqiptarët mbetën pa alternativa, atëherë shqiptarët u hodhën në mbrojtje të lirisë me komandant Zahir Pajazitin. Shumë shpejt u pa se komandanti Pajaziti me shokë ishin të matur dhe udhëheqës të duhur.  Kur të tjerët ishin pothuajse të humbur, të heshtur dhe gati të nënshtruar, kur në zemrat tona nuk kishte më shpresë, u shfaq Pajaziti në betejën historike dhe me bindjen se me kapacitet që ka Kosovë fitorja është e sigurt. Komandanti fliste, organizonte por edhe  vepronte, ndërsa ne e dëgjonim dhe ëndërronim, frikësoheshim dhe organizoheshim në strukturat ushtarake që ai organizonte. Komandanti po sfidonte kohen dhe po krijonte njësi luftarake në çdo vend”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, fal Pajzatiti dhe atyre që e ndoqën pas, shqiptarët janë të lirë dhe kanë përkrahjen e aleatëve të mëdhenj ndërkombëtarë.

“Ne çdo ditë e më shumë po bëjmë hapa konkrete. Ky qëllim është konsolidimi i shtetit për rend, ligj dhe siguri.  Pajzaziti me shokë luftonin për liri kombëtare por edhe për liri demokratike, prandaj ne na takon që në këtë drejtim të mos ndalemi kurrë dhe të përpiqemi çdo herë për më të mirën. Duhet të bëhemi më të ndjeshëm dhe më të përgjegjshëm ndaj rendit dhe ligjit. Sot dua të bëjë një porosi për ju bashkëluftëtarë të mi se duhet t’i ndalojmë dëmet e qëllimshme që po i shkaktohen vendit, pra duhet t’i raportojmë ata që po i bëjnë ato dhe t’i ndalim ata.  Përgjegjësia është e jona ndërsa lavdia është e atyre. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta”, ka shtuar ai./Indeksonline/