12:41 / E Enjte, 24 Maj 2018 / indeksADMonline

Nagavci kërkon nga komunat t’ia paguajnë pagat jubilare mësimdhënësve pensionistë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci, në një konferencë për media, ka adresuar çështjen e mos respektimit të kontratës kolektive të arsimit, të nënshkruar në prill të vitit të kaluar në mes të ish ministrit të Arsimit dhe kryetarit të SBASHK-ut , gjegjësisht neni 35 pika 8 dhe 9 të cilat kanë të bëjnë me pagesën e pagave jubilare dhe tri pagat përcjellëse, për mësimdhënësit e pensionuar.

Nagavci u ka bërë thirrje të gjithë kryetarëve të komunave të Kosovës, që ta realizojnë këtë të drejtë të mësimdhënësve, e cila parashihet me kontratën kolektive.

 

“Ne kemi nisur një letër për të gjithë kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës, ku kërkojmë që t’iu njihet kjo e drejtë mësimdhënësve, në mënyrë që ata t’i realizojnë të drejtat e tyre, të garantuara dhe të gjithë së bashku institucionet e vendit, sindikatat të orientohen drejt përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies, një aspekt i cili ka shumë nevojë për përmirësim dhe të mos shpenzohet energjia e mësimdhënësve në realizimin e të drejtave, të cilat edhe ashtu janë të garantuara. Dhe në anën tjetër të mos bëhet dhe dëmtimi i buxhetit të Republikës së Kosovës, për shpenzime të cilat janë të panevojshme”, tha Nagavci.

Sipas saj edhe pse kontrata parashihte që kjo e drejtë do të duhej të fillonte të realizohej në vitin 2018, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe se pothuajse në të gjitha komunat, mësimdhënësve nuk po u realizohen të drejtat e tyre, që tashmë janë të garantuara me ligj.

 

“Kështu që shfrytëzojmë rastin që edhe njëherë publikisht të bëjmë thirrje për të gjithë kryetarët e komunave, si organi më i lartë në nivel komunal, të cilët janë të obliguar ta realizojnë këtë të drejtë të marrin parasysh kërkesat e mësimdhënësve dhe të realizojnë piken 8 dhe 9 të nenit 35 të kontratës kolektive të arsimit, gjegjësisht pagesën e pagave jubilare dhe tri pagave përcjellëse me rastin e pensionimit të mësimdhënësve”, tha ajo.

Ajo ka folur dhe për pasojat e mos realizimit të kësaj të drejte, e të cilat sipas saj janë ndjekja e procedurave gjyqësore nga ana e mësimdhënësve, e të cilat sipas saj shkaktojnë mbingarkesë të gjykatave dhe dëmtim të buxhetit, pasi që komunat janë të obliguara që t’i paguajnë shpenzimet procedurale të mësimdhënësve, të cilët u drejtohen gjykatave , e që me këtë dëmtohet dhe buxheti i Kosovës.