21:07 / E Mërkurë, 25 Prill 2018 / indeksADMonline

Ndahen mjetet për ndërtimin e FSHMN-së, problem del të jetë parcela

Fakulteti i Shkencave Matematikor-Natyror është në telashe me përcaktimin e parcelës së ndërtimit të objektit të ri.

Fillimisht, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti kishte propozuar që FSHMN të ndërtohet afër Fakulteteve Teknike, aty ku është paraparë të ndërtohet pallati i operës, mirëpo Ministria e Kulturës nuk ka hequr dorë nga ndërtimi i Operës në atë vend.

Më pas, u propozua që të jetë afër Fakultetit të Bujqësisë, mirëpo kjo nuk u përkrah nga studentët e FSHMN-së, pasi është me në periferi të kryeqytetit. Ndërsa, brenda kampusit universitar nuk ka hapësirë për ndërtimin e saj.

Mirëpo, Indeksonline mëson se Kuvendi Komunal i Prishtinës i ka dhënë pëlqimin për ndërtimin e FSHMN-së para Fakulteteve Teknike (FIEK, FIM dhe FNA).

Ndonëse, kemi provuar të marrim një përgjigje zyrtare nga Komuna, zyrtarët për media nuk janë përgjigjur interesimit të redaksisë.
Por, Indeksonline ka siguruar dokumentin dhe hartën ku tregohet parcela e planifikuar për ndërtimin e objektit të FSHMN-së.

Parcela e planifikuar e komunës për ndërtimin e këtij objekti po kundërshtohet nga Këshilli i Fakultetit të Inxhinierisë elektrike dhe Kompjuterike.

“Ne jemi të bindur se pakënaqësia jonë dhe dyshimet tona për një projekt të tillë, nuk do të keqkuptohen nga organet vendimmarrëse, meqë një planifikim i tillë do të rrezikonte seriozisht aktivitetin e papenguar të gjitha njësive akademike të përfshira në këtë rast: FNA, FIEK, FIM dhe FSHMN”, thuhet në letrën që ka siguruar Indeksonline.

Në këtë letër të dekanit të FIEK-ut, Enver Hamiti adresuar Prorektorës për Buxhet dhe Financa, Myrvete Badiviku, thuhet se ndërtimi i saj në këtë parcelë e bënë të pamundur lëvizjen e lirë të studentëve.

“Parcela e planifikuar është hapësirë e cila gjendet në oborrin e ndërtesës së Fakulteteve Teknike (FIEK, FIM dhe FNA). Kjo parcelë është gjysma e hapësirës së gjelbëruar të oborrit të fakulteteve dhe në të janë ndërmarrë disa aktivitete për ta pasuruar gjelbërimin e saj. Ndërtimi në këtë parcelë do të bëjë të pamundur lëvizjen e lirë të studentëve dhe rrjedhimisht konsiderohet tërësisht e pamjaftueshme për zhvillimin e papenguar të gjitha aktiviteteve akademike, përkatësisht dy ndërtesave, ekzistuese të Fakulteteve Teknike dhe ndërtesës së re të FSHMN-së, sipas standardeve dhe normave në fuqi”, thuhet në letrën e Dekanit, Enver Hamiti.

Tutje, në këtë letër thuhet se për këtë parcelë në oborrin e Fakulteteve Teknike kërkohet mendim profesional nga ekspertët e Urbanizmit me qëllim që të trajtohet profesionalisht mundësia e ndërtimit të objektit, në një parcelë ndërtimore me sipërfaqe 1,4 ha.

 

Siç shihet edhe në këtë hartë, në pjesën përpara Fakulteteve të Teknikut është planifikuar ndërtimi i FSHMN-së, gjë që shihet se është një distancë shumë e vogël brenda këtyre fakulteteve.

Indeksonline ka provuar të marr edhe një përgjigje nga zyrtar të FSHMN-së, po këta të fundit nuk i janë përgjigjur pyetjeve.
Ndërsa, në një përgjigje të rektoratit të Universitetit të Prishtinës për Indeksonline thuhet së në buxhetine UP-së është planifikuar ndërtimi për këtë vit, dhe se tanimë janë ndarë mjetet.

“Në buxhetin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për vitin 2018 është planifikuar ndërtimi i objektit të FSHMN-së, për të cilin është bërë edhe ndarja e mjeteve”, thuhet në përgjigjën e tyre.

Tutje, në përgjigjen e rektoratit bëhet e ditur se ende janë në negociata me Komunën e Prishtinës për caktimin e lokacionit.

“Aktualisht jemi në negociata me Komunën e Prishtinës për caktimin e lokacionit për ndërtim të objektit. Shpresojmë qe së shpejti të marrim përgjigje pozitive nga Komuna” , thuhet në përgjigjen e rektoratit.

Kurse ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi për Indeksonline ka thënë tashmë kur është arritur zgjidhja e problemit me hapësirë, ndërtimi i objektit të FSHMN-së mund të fillojë.

Kujtojmë që studentët e FSHMN-së, drejtues të këtij fakulteti e përfaqësues të UP-së, janë ngritur protesta disa herë për përcaktimin e lokacionit të ndërtimit të objektit, pasi objekti aktual nuk i përmbush kushtet për zhvillim të studimeve.

Ndërsa, pas takimit me ta, kryetari Shpend Ahmeti u pati thënë se në pranverë të vitit 2018 pritet të nisin punimet.

Studentët e këtij fakulteti shpresojnë se kjo çështje do të zgjidhet më në fund dhe të ndërtohet një objekt i ri. Kjo pasi, hapësira ku ata e kalojnë një pjesë të madhe të kohës, nuk i përmbush as për së afërmi kushtet për studim./Indeksonline/L.Thaçi/