21:30 / E Shtunë, 17 Shkurt 2018

‘Ndalesa’ e Kosovës në INTERPOL

Policia e shtetit që shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, nuk ka mundur të bëhet anëtare e familjes së madhe të policive botërore, edhe përkundër përpjekjeve gati tetëvjeçare.

Dy vite pas shpalljes së pavarësisë, në vitin 2010, Kosova nisi procesin e anëtarësimin në asamblenë e përgjithshme të mekanizmit më të madh policor në botë- INTERPOL.

Krerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme në vitin 2010 patën bërë aplikacionin e parë për anëtarësim të Kosovës në këtë organizatë.

Atë kohë INTERPOL pati kërkuar nga Kosova plotësimin e një pyetësori por që komunikimi i ishte ndërprerë ndërkohë dhe nuk kishte vazhduar më tej.

Në muajin prill të vitit 2015 ishte bërë kërkesa e dytë e institucioneve kosovare për anëtarësimin në INTERPOL.

Aplikacioni ishte nënshkruar nga ish- kryeministri Isa Mustafa ndërsa përcjellja e këtij aplikacioni ishte dorëzuar nga misioni i UNMIK-ut.

Krerët e Policisë së Kosovës, patën synuar që viti 2015 të jetë ai vit që Kosova të kishte përmbushur të gjitha kriteret për tu anëtarësuar në INTERPOL.

Në raportin e Qendrës Kosovare për Studimet e Sigurisë, raport ky i publikuar në vitin 2016, thuhet se Kosova ishte e gatshme për anëtarësim sa i përket aspektit teknik dhe operativ, por janë pengesat politike të cilat e sfidojnë anëtarësimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare të sigurisë.

Më 2 gusht të vitit 2017, qeveria pati miratuar nismën për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale – INTERPOL.

Në atë kohë ish ministri në detyrë i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, pati thënë se së bashku me ish- ministrin e Punëve të Brendshme, Skender Hyseni kanë punuar që në shtator të vitit të kaluar Kosova të ishte në organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale.

“Dua të ju siguroj që së bashku me ministrin Hyseni kemi punuar shumë që në shtator të jemi në INTERPOL. Ministria e Financave do të duhet që edhe Ministrinë e Brendshme dhe atë të jashtme mos ta kufizojë prerjen e saj sepse duhet një buxhet tjetër për lobimin”, pati thënë Hoxhaj.

Analisti për çështje të sigurisë, Florian Qehaja gjatë vitit të kaluar pati deklaruar se gjasat që në vitin 2017 Kosova të anëtarësohej në INTERPOL ishin minimale dhe për çdo manipulim në këtë drejtim duhet dhënë llogari.

Në gusht të vitit të kaluar, BIRN pati shkruar për frikën e Serbisë nga anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë.

Shtatori i vitit 2017 ishte muaji ku do të vendosej se a do të jetë Kosova në INTERPOL apo jo.

Aplikimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale së bashku me shtete si Ishujt Solomon dhe Palestina pati pasur rrezik për dështim në anëtarësim.

Sipas Kushtetutës së INTERPOL-it shtetet që aplikojnë për t’u bërë anëtarë duhet të marrin dy të tretat e votave të shteteve anëtare.

Më 21 shtator, 5 ditë para se të vendosjes për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pati dalë me një deklaratë ku thoshte se Kosova nuk i ka votat e mjaftueshme për t’u anëtarësuar në INTERPOL.

Ai arsyetoi votat jo të mjaftueshme për anëtarësim në këtë organizatë dhe pati marrë vendim që të shtyhej votimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në INTERPOL deri në takimin e ardhshëm të kësaj organizate.

Kosova prapë dështoi që të anëtarësohej në organizatën më të madhe INTERPOL.

Bazuar në një marrëveshje të mëhershme komunikimi i policisë me INTERPOL-in kryhet duke shfrytëzuar kanale të misionit të UNMIK-ut ndërsa procedurat e tej zgjatura të këtij komunikimi kanë bërë që raste të mëdha të zvarriten.

INTERPOL edhe sot kërkon dhjetëra persona nga Kosova në bazë të flet arresteve të Policisë së Kosovës megjithatë vendi ka dështuar të sjellë para drejtësisë një varg të dënuarish përfshirë ish kryetarin e Kaçanikut Xhabir Zharkun.