09:57 / E Premte, 19 Janar 2018 / indeksADMonline

Ndërprerja e bisedimeve nga ana e Beogradit, veprim i gabuar

Anulimi i bisedimeve Kosovë-Serbi në Bruksel, nga analistët vlerësohet si veprim i gabuar nga ana e Beogradit. Sipas logjikës së njejtë edhe pala kosovare mund të kërkoj ndërprerje të dialogut, por kjo nuk i kontribuon asnjërës palë, thonë ata. Delegacioni i Serbisë në Bruksel i ka ndërprerë bisedimet në po të njëjtën ditë që nisën ato, për shkak të vrasjes së liderit serb Oliver Ivanoviq, mëngjesin e 16 janarit.

Anulimi i takimeve në Bruksel nga ana delegacionit serb për shkak të vrasjes së liderit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviqit, vlerësohet si veprim i gabuar i Beogradit. Për analistin Naim Rashiti kjo është një kthesë e keqe, në procesin e dialogut në periudhën kur po përgatitej një fazë ndoshta finale e bisedimeve Kosovë-Serbi.

“Është një situatë paradoksale në procesin e dialogut por edhe me qasjen e faktorit ndërkombëtar të BE-së. Në njërën anë pritet për një proces të fazës finale ashtu siç proklamohet edhe në Strategjinë e Zgjerimit të BE-së por në anën tjetër tensione e diskursi i acaruar vazhdojnë. Diçka nuk është në rregull me këtë situatë, prandaj duhet të krijohet një situatë e re më normale, një përgatitje më të mirë, për një kornizë më të qartë për procesin e dialogut”, deklaroi Rashiti.

Nenad Maksimoviç drejtor i organizatës joqeveritare “Qendra për Paqe dhe Tolerancë” në Graçanicë, thotë se vrasja e Ivanoviqit ishte vrasje e ideve ndryshe dhe alternativave të ndryshme politike. Maksimovic i tha Radio Kosovës se ndërprerja e dialogut si pasojë e vrasjes së Ivanovicit është absolutisht e panevojshme sepse kjo vrasje s’ka lidhje me dialogun.

“Mendoj se është në pyetje një lojë e politikës ditore, ku rëndësia më e madhe sesa e një individi, është të vazhdojë dialogu, por në nivel presidentësh”, deklaroi Maksimoviq.

Për politologun Belul Beqajn – Beogradi zyrtar me këtë veprim në një mënyrë e privatizoi çështjen Ivanoviq, edhe pse ata ishin akterët kryesor kundër politikës së Oliver Ivanovicit. Në një deklaratë për programin e gjuhës serbe në Radio Kosovë, Bleqaj vlerëson se Beogradi nuk ka arsye të privatizojë atentatin ndaj Ivanovicit sepse, sipas kësaj logjike edhe pala kosovare mund ta konsideroj vrasjen e tij -arsye për ndërprerje të bisedimeve e që do duhej që dialogu të mos varet nga kjo. Në të kundërtën, Beqaj tha se ky rast do të duhej të ishte arsyeja për vazhdimin e dialogut në mënyrë që të dyja palët të pajtohen dhe të gjindet një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.