09:12 / E Premte, 18 Maj 2018 / indeksADMonline

Ndërpritet për një orë qarkullimi i trenave nga punëtorët e Trainkos

Sot nga ora 08:00 e mëngjesit pothuajse për një orë është ndërprerë qarkullimi i trenave për udhëtarë në hekurudhat e Kosovës, Trainkos, nga punëtorët e saj në shenjë pakënaqësie për vonesën e pagave për muajin prill

Haxhi Xhemajli, nënkryetar i sindikatës së punëtorëve të hekurudhave të Kosovës, Trainkos ka thënë se për një orë kanë protestuar në shenjë pakënaqësie për vonesën e pagave të muajit prill në këtë ndërmarrje.

Ai ka paralajmëruar protesta edhe për ditën e martë, nëse pagat nuk i marrin deri të hënën.

Ndërsa, Naim Neziri, zëvendës kryeshef i Trainkos protestuesve u ka premtuar se shumë shpejt do të realizohet paga e muajit prill, ngase sipas tij, është arritur një marrëveshje me Ministrinë e Infrastrukturës për pagesën e shpenzimeve të kësaj ndërmarrjeje.

Megjithatë, ai nuk ka treguar asnjë dokument të kësaj marrëveshje apo shumën e premtuar nga Ministria, por shtoi se për këta 250 punëtorë, për pagën e prillit ju duhen 135-140 mijë euro.

Me përfundim të protestës, trenat kanë filluar të qarkullojnë.