15:13 / E Enjte, 29 Mars 2018 / indeksADMonline

Ndikimi i Shërbimit Sekret të Turqisë në arrestimin e zyrtarëve të ‘Mehmet Akifit’

Mediet turke thonë se arrestimin e zyrtarëve të shkollës “Mehmet Akif” e ka bërë Agjencia Turke e Inteligjencës (MIT) në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Sipas të dhënave që Anadolu Agency ka siguruar nga burime të sigurisë, MIT ka kapur gjashtë pjesëtarë të FETO-s të kërkuar në Turqi.

Personat Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina janë sjellë në Turqi me një avion të posaçëm nga ana e MIT.

Mësohet se pjesëtarët e FETO-s do t’u dorëzohen autoriteteve gjyqësore.

Sipas të dhënave të siguruara nga AA, gjashtë të arratisurit të kapur përmes operacionit, krahas aktiviteteve në shtetet e Ballkanit, kanë qenë të angazhuar për sigurimin e arratisjes së punonjësve të organizatës në Turqi drejt shteteve të Evropës dhe ShBA-së.

Njësitë e sigurisë kishin vërtetuar se Özkan ka menaxhuar paratë e tubuara në emër të bamirësisë në shtetet e Ballkanit, të cilat i ka transferuar në Pensilvani, ku gjendet kreu i organizatës FETO, shkruan AA.

Ndërkaq, Demirez, përgjegjës për strukturimin rinor në Kosovë, ka punuar në mënyrë aktive në shtetet e Ballkanit, ndërsa ka luajtur rol që organizatës t’i bashkëngjiten numër i madh personash, shkruan më tej ky medium.

Nga ana tjetër, Günakan, i sjellë po ashtu në Turqi përmes operacionit të MIT-it, ishte përgjegjës për mësimdhënësit në strukturat shkollore në rajon.

Emrat e tjerë të sjellë në Turqi mësohet se kanë qenë figura të larta përgjegjës për strukturimin e FETO-s në institucione dhe organizata të ndryshme.

Në veçanti, mësohet se Osman Karakaya ka luajtur rol aktiv në procesin Ergenekon, periudhë gjatë së cilës ai ka përgatitur raporte në favor të FETO-s në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Stamboll, ndërsa për këtë arsye i është ndarë dekoratë nga ana e kreut të organizatës terroriste Fetullah Gülen./