13:14 / E Martë, 11 Shtator 2018 / indeksADMonline

Ndryshimi i kufijve përbën shkelje kushtetuese

Korrigjimi apo shkëmbimi i territoreve është ide e paqëndrueshme dhe jo afatgjate, ndërsa çdo shkëmbim territoresh pa e respektuar Kushtetutën e Kosovës është e jashtëligjshme.

Kështu u tha në tryezën e sotme me temën “Humbësja e madhe e dialogut: Diskutim mbi parimet dhe strategjitë që parandalojnë institucionet e Kosovës të zhbëjnë karakteristikat unike të Kosovës”, organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS).

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani ka deklaruar se shkëmbimi i  territoreve  është jo kushtetuese  dhe i paligjshëm.

Sipas tij Kosova nuk është shkëputur nga ish-Jugosllavia, por nga Serbia dhe ne trashëgojmë të gjitha të drejtat dhe detyrat.

Ai po ashtu tha se GJND e njeh Kosovën me kufijtë që janë shpallur në ditën e pavarësisë, dhe në këtë mënyrë nëse futemi jashtë lojës së politikes së GJND-së, Kosova pranon standardet e krijuara nga Serbia për shkëputje të territorit.

“Ato që quhen kompetenca të presidentit si kreu i shtetit në një demokraci si çfarë është Kosova në mënyrë absolute as në Kosovë as në vendet tjera nuk kanë natyrë ekzekutive, në vendet me sistemi semipresidenciale ju do ta gjeni se në vendet që kreu i shteti është edhe i Qeverisë që ruan rendin kushtetues dhe garanton sovranitetin nacional… Çështjet  e sovranitetit territorial, të caktimit të kufijve dhe ashtu me radhë të jenë në ingerencë e shefit të shtetit. Çdo nënshkrim i çdo marrëveshje që bëhet në mënyrë jashtë organeve kushtetuese është ndërkombëtarisht e pavlefshme dhe nuk prodhon asnjë fuqi juridike, marrëveshjet edhe pse ne nuk jemi të njohur, marrëveshjet me Malin e Zi apo ta zëmë me Maqedoninë për kufi është e regjistruar në sekretariatin e OKB-së”, tha ai.

Analisti politik, Behulu Beqaj, si ekspert i procesit të dialogut Kosovë-Serbi u shpreh se shqiptarët që jetojnë në Serbi, dhe serbët që jetojnë në Kosovë janë të pakënaqur dhe të pasigurt jo me territorin ku ata jetojnë, por për shkak të politikave qeverisëse në ato territore.

Sipas tij korrigjimi i kufijve është nxitje për formimin e shteteve etnike, të cilat me kohë homogjenizohen.

“Një pjesë e serbëve që do t’i përfshijë korrigjimi kufirit në thonjëza e zgjidhin problemin duke iu bashkuar Serbisë, por pjesa dërmuese që mbetet në Kosovën jugore ndoshta me edhe pa Shqipërinë … Do të ballafaqohen me probleme edhe më të mëdha për shkak të mënyrës se si është zgjidhur problemi me ta dhe vazhdimi të politikës së njëjtë e cila ka sjell një gjendje që të mos i besojmë politikëbërësve të njëjtë, prandaj korrigjimi, shkëmbimi, bashkimi ndarja si të doni thoni i kufijve nuk është zgjidhje afatgjate e as e qëndrueshme”, ka thënë ai.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i KIPRED-it, Lulzim Peci, tha se logjika e korrigjimit të territoreve është mashtrimi më i madh që po u bëhet qytetarëve të këtij vendi.

Sipas tij ajo çka i duhet Kosovës në këtë moment është një durim strategjik, dhe se akterët që e kanë sjellë Kosovën deri në këtë pikë, nuk duhet të jenë në krye të bisedimeve.

“Unë këtë e konsideroj tragjedi, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për krejt projektin evropian. Ne  e dimë fort mirë se kjo logjikë e cila në thelb të vetvetes së saj e ka pasur ekspansionizmin nacional socialist të Gjermanisë, që një logjikë e tillë neve të na kthehet në këto rajone, po edhe në kabinetin e Mogerinit pas 80 viteve”, ka thënë Peci.

Fisnik Halimi, ekspert i procesit të dialogut Kosovë-Serbi, është shprehur kundër ideve që panelistët i shfaqen lidhur me shkëmbimin e territoreve me Serbinë.

“Personalisht jam për idenë e shkëmbimit të territoreve. Kosova, përgjithësisht shoqëria jonë, është një situate, ku duhet në formë urgjente të dalë prej atmosferës që po e barazojmë çështjen e shkëmbimit të territoreve me personin e zotit Thaçi, si person politik. Duhet të hiqet prej këtij konteksti kjo çështje, sepse kjo çështje nuk i takon vetëm zotit Thaçi, kjo çështje është më komplekse se kaq”,  ka thënë ai.

Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur për korrigjimin e kufijve me Serbinë, por nuk ka garantuar se Lugina e Preshevës do t’i bashkohet Kosovës, ndërkohë që kundër kësaj ideje ka dalë kancelarja gjermane Angela Merkel, sipas së cilës ndryshimi i kufijve në Ballkan është i papranueshëm.