19:29 / E Diele, 16 Shtator 2018 / indeksADMonline

Në Cyrih u themelua Oda e Tregtisë Kosovë-Zvicër

Në Cyrih është themeluar Oda e Tregtisë Kosovë – Zvicër, kjo falë iniciativës së Konsullit të Kosovës në Cyrih, zotit Islam Spahiu dhe deputetit nacional të Partisë Popullore Zvicerane (SVP) nga Cyrihu, Alfred Heer.

Lajmi është transmetuar edhe nga gazeta e njohur zvicerane me tirazhin më të madh „Blick“, në një artikull ekskluziv kushtuar kësaj ngjarje. „Iniciativa për themelimin e Dhomës së Tregtisë kishte lindur në takimin midis zotit Alfred Heer, deputet nga Këshilli kombëtar i Partisë Popullore të Zvicrës (SVP) dhe zotit Islam Spahija, Konsull i Kosovës në Cyrih, në shënimin e jubileut të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës në „Zürich-Altstetten“, ku zoti Heer kishte mbajtur një fjalim rasti. Duhet theksuar fakti se zoti Heer është edhe Zëvendëspresident i Këshillit të Evropës në Strasburg. Gjithashtu, partia nga vjen zoti Alfred Heer, është që disa mandate në pushtet në Zvicër. Edhe në ditën e themelimit, Heer flet për kosovarët e zellshëm në Zvicër si dhe për mbshtetjen që duhet t‘i bëhet zhvillimit ekonomik në Kosovë, në mënyrë që të forcohet akoma më shumë stabiliteti në tërë rajonin. „Ka kosovaro-zviceranë të shkëlqyer jo vetëm në futboll, por edhe në fushën profesionale“, thekson ai. Konsulli Islam Spahiu, i cili flet një gjermanishte të rrjedhshme standarde, ka punuar dikur gazetar në Deutsche Welle. Por, si e sqaron ai bashkëpunimin me eksponentët e një partie që në gushtin e vitit 2011 kishte krijuar një disponim kundër bashkatdhetarëve të tij? „Për sa i përket mendësisë, ka një afërsi të caktuar“, thotë Spahiu. „Kosovarët kanë qenë gjithmonë liberal dhe miqësor në aspektin ekonomik“, shton ai. „Dhoma e tregtisë është jopolitike“, thekson Heer, teksa shton se ai kishte kundërshtuar atëherë fushatën nga partia e tij kundër kosovarëve. „Në Odën e Tregtisë të gjithë janë të mirëseardhur“ thotë zoti Heer, i cili është zgjedhur anëtar i Këshillit, kurse konsulli Islam Spahiu, anëtar i Kryesisë së Odës së Tregtisë Kosovë –Zvicër.

Anëtar i kryesisë katëranëtarëshe të Dhomës së Tregtisë është zgjedhur edhe Këshilltari nacional i Partisë Popullore të Zvicrës (SVP) Hans Egloff nga Cyrihu. Si anëtar i delegacionit parlamentar BE/efta, ai thotë se e ka në zemër përfshirjen e shteteve të Ballkanit në këtë organizatë. Kryetar i Dhomës së tregtisë Kosovë – Zvicër, ndërkaq është zgjedhur Musa Komani, i cili njihet si një afarist mjaft i suksesshëm në Zvicër. Në një daklaratë të tij për gazetën Blick, kryetari i posazgjedhur Musa Komani, citohet të ketë thënë se „tani kemi shumë punë para nesh“. „Në tregti, ekonomi, arsim, shkencë dhe kulturë ka një potencial të mjaftueshëm“, ka shtuar ai për Blick, transmeton RTKlive. Dhjetë vjet pasi Zvicra si një nga shtetet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës, ky akt themelues është një moment historik në marrëdhëniet e të dyja vendeve, shkruan Blick.