10:50 / E Enjte, 10 Maj 2018 / indeksADMonline

Në mungesë kuorumi dështon mbajtja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik

Ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, pasi që nuk kishte kuorum për t’u mbajtur.

Zëvendëskryetari i këtij komisioni Dardan Sejdiu u shpreh i zhgënjyer me mungesën e anëtarëve të këtij komisioni, i cili tha se është ndër komisionet me të rëndësishme.

“Fatkeqësisht siç po e shihni në mungesë të kuorumit duhet këtë mbledhja ta ndërprejmë. Unë si zëvendëskryetar i parë, do ta dërgoj një email tek të gjithë anëtarët e këtij komisioni, për të diskutuar pjesëmarrjen dhe kohen e cila iu konvenon. Po besoj që të gjithë jeni të vetëdijshëm, se ky është një prej komisioneve me të rëndësishme, nëse jo më i rëndësishmi, për sa i përket njërit prej problemeve kryesore të këtij vendi, që është mungesa e zhvillimit ekonomik. Ne i trajtojmë ligjet që merren me zhvillimin në këtë vend dhe potencialisht mos zhvillimin në këtë vend. Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer. Por besoj se nuk do të jetë një prej mbledhjeve të shumta ku s’kemi kuorum. Por një prej të paktave”, tha ai.

Sot ishte paraparë që të shqyrtohej raporti me rekomandime për Projektligjin për Mbrojtjen e konsumatorit, Raporti me amendamente i Projektligjit për Miniera dhe minerale. Raportit vjetor i Autoritetit të Aviacionit Civil – AAC dhe Raporti vjetor i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës – AKK për vitin 2017.