17:53 / E Martë, 11 Shtator 2018 / indeksADMonline

Në shërbim të kategorive të lirisë

(Shkrim autorial me rastin e 1 vjetorit të Qeverisë Haradinaj)

Gazmend Syla – këshilltar politik i KM dhe drejtor i ZÇKL

Bisedën me palët në zyrë, e ndërprenin telefonat që secili me melodinë e vet, dukej se ishte pjesë e një orkestre të pasinkronizuar. E hallexhinjtë, kishin llafet dhe kërkesat e njëjta. Për një muaj e gjysmë as unë e as bashkëluftëtarët e mi, nuk merrnim pensionet që na takonin me ligj. Nuk ishte hera e parë që kishte vonesa të tilla, e një numër i madh i atyre që luftuan për lirinë tonë, vareshin nga to, pasi nuk kishin burim tjetër jetese. Por të gjithë kishin shpresa tek qeveria e re, që udhëhiqej nga komandanti i tyre. Të gjithë kërkonin trajtimin e dinjitetshëm, nga njeriu i cili bashkëndjente sakrificën dhe dhembjen e tyre. Në zyrën tjetër, grumbujt e dokumenteve të patrajtuara kishin krijuar një kodrinë.

11 shtatori 2017, do të shënonte një kthesë të madhe për Kosovën, e veçanërisht në trajtimin me ligj të kategorive të lirisë.

Pas një përvoje në udhëheqjen e një dege të madhe të OVL-së, Kryeministri më besoi detyrën e udhëheqjes së Zyrës për Çështjet e Kategorive të dala nga Lufta. U ndjeva krenar për besimin, duke kujtuar ditët e netët e gjata kur ishim së bashku të pandarë në frontet e luftës. Krenar që do punojmë së bashku edhe pas 20 vitesh që kur filloi rezistenca e armatosur kundër pushtimit të egër.

Një vit kaloi shpejt. Shumë sfida, shumë punë, e edhe më shumë për të bërë në vitin e dytë. Menjëherë filluam trajtimin dhe rregullimin e problemeve teknike, anulimin e vendimeve të padrejta e të dëmshme për familjet e Dëshmorëve dhe për Invalidët. Menjëherë rregulluam që bashkëluftëtarët tonë të marrin pensionet me kohë. Menjëherë filluam me trajtimin serioz të kërkesave që vinin nga përfaqësuesit e tyre – shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Gjatë kësaj kohe, kryem shërbime administrative për rreth 4900 veteranë, 2800 invalidë, 650 familje dëshmorësh, ndërsa ndihmuam në regjistrim në shkollim e lartë dhe në vendosje në konvikte mbi 2500 fëmijë të kategorive të lirisë.

Në shërbim të kategorive të lirisë, Qeveria Haradinaj, ndau rreth 1.350.000 euro, që u dedikuan për rehabilitimin në banja e bregdet, ndërrimin e protezave të Invalidëve, renovim e mirëmbajtje të zyrave të shoqatave si dhe mbështetje e këtyre zyrave me materiale administrative e shpenzime të tjera.

Në ndërkohë, që në fillet e punës, ZÇKL me urdhër të Kryeministrit, hapi dyert e Arkivit dhe zyrave për Prokurorinë Speciale dhe Policinë e Kosovës. Kthimi i përgjigjeve dhe ofrimi i dokumentacioneve që kërkoheshin për interes të hetimit, bëhej në afatin rekord, pa vonesa e pa pengesa burokratike.

Me kujdesin më të madh, kemi organizuar akademitë e tubimet që shënojnë datat më të rëndësishme të Luftës Çlirimtare, e duke qenë se jemi në 20 vjetorin e Rezistencës, ato u organizuan më madhështore se kurrë më parë.

Për momentin që flasim, është duke funksionuar pas shumë vitesh ndërprerje, komisioni mjekësor Invalidor, i cili u themelua me iniciativën tonë, por është plotësisht i pavarur në punën e vet.

Sot, një vit më pas, mund të themi se trajtimi i kategorive të lirisë ka qenë shumë dinjitoz dhe meritor. Nuk është gjithçka ashtu siç dëshirojmë të ishte, por në Qeverinë Haradinaj, puna nuk ndalet asnjë minut; ajo vazhdon pa orar të caktuar, e pa pushime fundjavësh. Shumë rrallë u bë pasqyrimi i të arriturave tona nga mediat, e në agjendë u futën tema koti, si tema e numrit të veteranëve dhe se si ata, gjoja po e dëmtojnë buxhetin. Në opinion-bërje rreth këtyre temave, u kyçën edhe persona që nuk janë aspak kompetent për to, ku për një natë u shndërruan në komandantë lufte, analistë buxheti e historianë. Përderisa ata flasin për gjëra që nuk ju takojnë, ZÇKL në bashkëpunim me DFDIL, Prokurorinë Speciale dhe Policinë, po e bëjnë punën e vet në zbardhjen e keqpërdorimeve të mundshme. Aktakuzat e para vetëm se kanë filluar të ngritën, gjithsesi gabimet nuk po dalin të jenë në masën sa po spekulohet, por në parametra realë, të cilat ndodhin në secilin shtet që ka dalë nga lufta. Duke pas parasysh se pas procesit të regjistrimit të popullsisë dhe proceseve zgjedhore, verifikimi i kategorive të dala nga Lufta, ishte më madhori që kishte ndodhur në shtetin tonë. Andaj, gabimet e mundshme janë të pashmangshme.

Në shërbim të kategorive të lirisë, ne kemi bërë marrëveshje për trajtimin dhe ndihmën juridike falas për ta, e gjithashtu kemi botuar broshura udhëzuese për Invalidët, familjet e Dëshmorëve, por edhe bashkëluftëtaret tonë që gjenden në mbajtje të dënimeve në burgje.

Kjo qeveri, është në përfundim të një nga projekteve më të mëdha të përkujtimit të Luftës Çlirimtare. Rivarrimi i Dëshmorëve të ZO të Drenicës në Kompleksin Memorial në Marinë të Skenderajt, veç se ka përfunduar, e kompleksi që nuk përfundoi qe shumë vite, do inaugurohet në fillim të tetorit.

Ishte një vit i mbarë. Ishte një vit në të cilin me krenarinë e respektin më të madh, shërbyem kategoritë pa të cilat nuk do të kishim as liri, as shtet e as buxhet.

E ndërsa të tjerët flasin, ne vazhdojmë punën.