14:23 / E Diele, 18 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Nënkryetari i LDK-së komenton deklaratën për demarkacion, tregon votën e LDK-së në Kuvend!

Qeveria e Kosovës dje në mbledhjen e saj ka aprovuar aneks-marrëveshjen e nënshkruar nga dy Presidentët, atij të Kosovës, Hashim Thaçit dhe Malit të Zi, Filip Vujanoviq me të cilën do të ketë mundësi të rishikohet dhe korrigjohet shënjimi i vijës kufitare me shtetin fqinj.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ka komentuar këtë deklaratë që sipas tij është vetëm e vullnetit të lirë dhe asgjë më shumë.

Ai  thotë se marrëveshja e demarkacionit e nënshkruar në vitin 2015 nuk ka ndryshuar dhe se tani e njëjta pritet të votohet.

Në një prononcim për “Indeksonline”, Veliu ka treguar qëndrimin e partisë së tyre në legjislativ.

“Ka qenë vetëm deklaratë e nënshkruar nga vullneti i lirë i dy presidentëve të dy vendeve. Unë sa jam i informuar ato kushtet e marrëveshjes nuk kanë ndryshuar asnjë, ajo marrëveshje është ajo që ka qenë pikë për pikë edhe qëndrimi ynë është se për atë marrëveshje ne të japim votën unanime të deputetëve, që ti hapim dyert për  lëvizjen e lirë të qytetarëve, pra do ta votojmë. Unë nuk e besoj që do të ndryshohet”, është shprehur Veliu për “Indeksonline”.

Më tej, anëtari i LDK-së shton se kjo është vetëm  një përpjekje që me u bazu dikun mas gjithë atyre ngjarjeve që kanë ndodhur rreth kësaj çështje të ndijshme.  Sipas tij,  dikush duhet me pas një justifikim të paktën se po votohet.

Ndryshe, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj dje ka deklaruar  se seanca për demarkacion mund të shtyhet për javën e ardhshme. Sipas tij, për momentin nuk i kanë numrat, pasi koalicioni i ka 61 vota ndërsa  ende nuk e kanë konfirmimin e Listës Serbe se do ta votojnë fillimisht aneks-marrëveshjen pastaj edhe Ligjin për demarkacionin me Malin e Zi.

Për ratifikimin e demarkacionit në Kuvend nevojiten 2/3 e parlamentit apo 80 vota. /Indeksonline/