20:09 / E Enjte, 04 Janar 2018 / indeksADMonline

Nënkryetari i LDK-së pas reagimit të QUINT-it për Specialen: No comment!

Ambasada Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësuesit e QUINT-it në Prishtinë kanë reaguar përsëri ndaj përpjekjeve të radhës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nga disa deputetë të Kuvendit të Republikës.

Përmes një komunikate, kjo ambasadë ka ftuar të gjitha organet, institucionet, udhëheqësve të partive, deputetëve që të heqin dorë për rinegocimin e shfuqizimit të Ligjit për Specialen.

“Nuk ka asnjë arsye për të penguar punën e Dhomave të Specializuara dhe ftojmë secilin kryesues të institucioneve, udhëheqës të partive apo deputet, të heqin dorë nga çdo tentim për të shfuqizuar apo ri-negocuar çfarëdo pjese të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Një veprim i tillë vë në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për sundimin e ligjit dhe rezikon të gjitha të arriturat e Kosovës”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së.

Mirëpo, mbështetëse e deklaratave të ndërkombëtareve po del të jetë partia e Isa Mustafes. Lidhur me këtë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se nuk mundet ta komentojë qëndrimin e Amerikës për vendin tonë.

Në një prononcim për “Indeksonline” ai ka thënë se LDK nuk do ta ndryshoi qëndrimin lidhur me këtë çështje.

“Nuk kam koment, nuk mundem të komentojë qëndrimin e SHBA-ve. As deputetët nuk munden me komentu vendimin e  ndërkombëtarëve, për këtë jeni të sigurt. Qëndrimi i jonë është konsivuent, na nuk ndryshojmë”, ka thënë Haziri për “Indeksonline”.

Ndryshe, iniciativen për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara e kishin marrë 43 deputetë të  Kuvendit. Por, kjo seancë nuk ishte arritur të mbahet pasi në Kryesi të legjislativit nuk ka pasur kourum.

Kështu, për dallim nga subjektet tjera politike, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë qëndrimin  e saj se janë gjithëherë kundër shfuqizimit të Speciales./Indeksonline/