13:09 / E Shtunë, 03 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Nënkryetarja e “Vetëvendosjes”: Të pakënaqurit në VV ta rimendojnë pozicionin e tyre

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha- Kollçaku thotë se me gjithë zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në këtë lëvizje, Vetëvendosje po e vazhdon punën e saj si më herët dhe se tashmë e ka dhe kryetarin e ri të zgjedhur, Albin Kurti.

Duke folur për zhvillimet e fundit dhe dorëheqjet e njëpasnjëshme nga pozicionet e tyre nga anëtarë të VV, Kollçaku në një intervistë për KosovaPress, i ka ftuar të gjithë të pakënaqurit që ta rimendojnë pozicionin e tyre. Ndërsa thotë se largimi i tyre nga VV-ja, e dëmton këtë parti.

“Normal që qoftë dhe largimi i një individi, e le më kur bëhet fjalë për njerëz që kanë kontribuar dhe janë zyrtarë të lartë. Unë mendoj që është më e rëndësishme në këtë rast, që vendimet i kanë marrë vet. Pa marrë parasysh që është fol për prononcime të ndryshme në FB. Unë mendoj që ajo nuk qëndron, sepse megjithatë nuk ka pasur shtyrje nga zyrtarë të tjerë që të ndodhë kjo. Ka qenë diçka që paska ndodhur një kohë të gjatë për të cilën edhe unë si nënkryetare e lëvizjes nuk kam qenë shumë e informuar dhe me ka ardhur keq, për atë arsye po i ftoj dhe njëherë t’i rimendojnë pozicionet e veta dhe t’i rishqyrtojnë dorëheqjet, sepse nëse kanë kontribuar me vite, mendoj që shumë më mirë është që ta vazhdojmë rrugëtimin bashkë në lëvizje, ku VV normal që vazhdimisht duhet t’i nënshtrohet procesit të demokratizimit, sepse në asnjë subjekt nuk është kurrë mjaft demokraci. Ata që kanë qenë të pakënaqur është dashur gjithnjë t’i parashtrojnë në struktura, në organe sepse edhe unë vet i shoh aty. Shumë prej këtu çka kam dëgju në media, e në letrat e të dorëhequrve, nuk i kam dëgjuar për një kohë të gjatë aty, në struktura dhe organe ku është dashur të bisedohet për këto pakënaqësi”, tha ai.

Ajo shtoi se zyrtarët e lartë të kësaj lëvizje nuk kanë dhënë dorëheqje nga partia, por vetëm nga pozitat e tyre. Ndërsa thotë se lëvizja do të jetë më e fortë nëse qëndrojnë bashkë.

“Ne jemi ende shumë të hapur. Unë ende nuk jam në dijeni që së paku këta zyrtarët e lartë, ata janë dorëhequr nga pozitat e tyre, mirëpo ata janë ende pjesë e Lëvizjes VV dhe ajo oferta si më herët që ka qenë është që t’i rimendojnë pozicionet e veta, sepse unë mendoj që lëvizja është shumë më e fortë kur jemi të gjithë së bashku, sidomos bëhet fjalë për Kuvend të Kosovës, ku një forcë aq e madhe prej 32 deputetëve, si grupi më i madh parlamentar, është diçka që i duhet Kosovës. Ne jemi të hapur, asnjëri nga ne nuk ka qenë për këtë zgjidhje. Mendojmë që secili ta rimendoj mirë pozicionin e vet dhe të ardhmen e vet ku e sheh vetën”, tha ajo.

Megjithatë thotë se kjo është çështje vullneti.

“Asgjë nuk bëhet me zor, është çështje e vullnetit. Ata kanë kontribuuar me vite në VV. Nuk kam parë që ka distancim, qoftë nga qëndrimet e lëvizjes, qoftë ata shumë prej tyre janë dhe themelues, nuk kam pa diçka parimore në ato. Thjeshtë mendoj duke u bazuar në prononcimet e tyre, qoftë përmes letrave kur janë dorëhequr, qoftë në publik, nuk kam parë dallime konceptuale. Thjeshtë mendoj që nuk kanë qenë shumë parimor në ato dorëheqje dhe nuk shoh që ka diçka e pakapërcyeshme, prandaj prapë jam optimiste se nëse i rimendojnë pozicionet e tyre, shumica besoj që e kanë vendin aty ku kanë kontribuuar me vite, atë në Lëvizjen VV”, tha ajo.

Ajo mohon që të pakënaqurve u janë ofruar pozita, vetëm që të qëndrojnë në parti.

“Nuk mendoj që bëhen oferta për pozicione, sepse është këshilli i përgjithshëm, është anëtarësia. Ju e dini  si votohet në lëvizje prej pikës, qendrave deri tek këshilli. Nuk ka premtime për pozicione, por secili prej tyre ka mundësi të kandidimit. Unë besoj që ata që kanë mbështetjen tek struktura, tek anëtarësia, nuk është problem që ta kenë ndonjë pozicion, por nuk është ajo që ofrohen në atë formë pozicionet”, tha ajo.

Ndërsa thotë se kushti i tyre për mos kandidatin e Kurtit për kryetar, ka qenë i padrejtë.

“Nuk jam e prirur që t’i  komentoj deklaratat e tyre. Mendoj që ka qenë i padrejtë kushti për mos kandidatin e Albin Kurtit, ka qenë mundësia që të kemi ndonjë kundër kandidat që të garojnë me platforma. Tani më anëtarësia e lëvizjes ka vendosur që Albin Kurti, si aktivisti më mbështetjen më të madhe brenda lëvizjes VV. Është rizgjedh si kryetar i lëvizjes dhe unë mendoj se tani na presin shumë punë të rëndësishme”, tha ai.

Në fund ajo thotë se nuk është e informuar për krijimin e ndonjë partie të re nga grupi i të pakënaqurve.