19:03 / E Enjte, 28 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

“Nesër lirohet Albin Kurti”

Nesër në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca e fundit për të akuzuarit e deputetëve të Kuvendit të Republikës, Albin Kurtit dhe Donika Kadaj Bujupit,  të njëjtit janë të ngarkuar me veprën penale “hedhje e gazit lotsjellës në parlament”.  Aktualisht këta  janë në masën e paraburgimit.

Gjyqtari i këtij rasti, Beqir Kalludra do ta ketë fjalën përfundimtare rreth vendimit final  për themeluesin e LVV-së, Albin Kurtin dhe deputeten, Donika Kadaj.

Lidhur me këtë, avokati Tomë Gashi ka treguar për “Indeksonline” anën juridike të kësaj seance për këta deputetë të “Vetëvendosjes”.

Sipas tij, nesër do të vendoset përfundimisht lirimi i Kurtit dhe Kadaj-Bujupit. Ai thotë se kjo çështje është bërë krejtësisht për arsye  politike.

“Nesër do të jetë seanca e fundit me rastin e akuzimit të pa drejtë dhe politik të z.Albin Kurtit dhe Znj. Donika Kadaj-Bujupit, pra ky rast krejtësisht politik, të gjithë opinioni është i njoftuar se të gjitha veprimet kanë qenë politike, gjuajtja e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës ka parandalu humbjen e mbi 8500 hektarë tokë Kosovës si dhe ka parandaluar krijimin e të ashtuquajturës “Zajednica” e cila do të ishte një asociacion me shumicën e komunave serbe në Kosovë, sa që kjo në formë të merimangës do të parandalonte funksionalizimin e shtetit të Kosovës”, është shprehur Gashi për “Indeksonline”.

Më tej, ai ka theksuar se nesër gjyqtari nuk do të ketë asnjë arsye të mbajë në paraburgim Albin Kurtin dhe Donika Kadaj-Bujupin. Sipas tij, e gjithë procedura gjyqësore do të kryhet nesër.

“Kështu, nesër  thjesht pas fjalës përfundimtare  gjyqtari nuk ka kurrfarë arsye juridike që të mbajë më në paraburgim. Paraburgimi ka qenë i paraparë kinse për siguri të tyre në zhvillimin e papenguar të procedurës së tyre. Procedura gjyqësore nesër do të përfundojë dhe shpresojmë që gjyqtari do të nxjerrë një vendim të drejtë dhe ta ndërprerë paraburgimin, i cili është caktuar krejtësisht për arsye politike”, ka thënë më tej ai.

Në fund, Gashi tregon se këto  veprime janë në kuadër të kushtetutës të Republikës së Kosovës, jo hedhja e gazit por mënyrë e cila është zgjedh për shkak të një problemi të udhëheqjes shumë më të madhe.

Ai thotë se deputetët të vetmen punë që e kanë është t’i dëgjojnë  interesat e shtetit të Kosovës . Deputetët janë të zgjedhurit e popullit./Indeksonline/