22:19 / E Martë, 10 Prill 2018 / indeksADMonline

Nesër seanca për rrëzimin e Qeverisë së Maqedonisë

Kuvendi nesër do të diskutojë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë. VMRO-DPMNE-ja pret që mosbesimi të votohet nga shumica e deputetëve. Me këtë iniciativë, partia e Mickoskit edhe zyrtarisht kthehet në Kuvend.

“Unë pres mbështetjen e të gjithë atyre deputetëve të cilët para interesave partiake kanë interesat shtetërore. Mendoj se shumë i qartë është qëndrimi ynë, nga nesër kthehemi në Kuvend”, tha Dragan Danev, deputet i VMRO-DPMNE-së.

LSDM-ja, iniciativën për mocion mosbesimi e sheh si mundësi për të treguar të arriturat e deritanishme të Qeverisë.

“Nëse kjo është dera e madhe për të cilën pretendon VMRO-DPMNE-ja me kthimin në Kuvend, atëherë me të vërtetë jemi të dëshpëruar. Por sidoqoftë, iniciativa është legjitime. E njëjta na jep mundësi që t’i riafirmojmë të gjitha politikat pozitive të kësaj Qeverie 10 mujore”, u shpreh Tomisllav Tuntev, deputet i LSDM-së.

Lëvizja Besa si grup parlamentar nuk do ta mbështes mocionin.

“Kuptohet që ne nuk do ta mbështesim këtë mocion për votëbesim të Qeverisë edhe pse neve i kemi vërejtjet tona të caktuar për funksionimin e deritanishëm të Qeverisë”, deklaroi Rexhep Memedi, deputet i Lëvizjes Besa.

I pari i Kuvendit, Talat Xhaferi nuk pranoi të komentojnë iniciativën e opozitës.

Aleanca për Shqiptarët dhe BDI duke mos pranuar të prononcohen, lan që qëndrimi i tyre të mësohet në seancën e nesërme. Në përmbajtjen e iniciativës së opozitës, e firmosur nga 41 deputet përmendet mos rritja e BPV-së, rënia ekonomike, ngecja e reformave në gjyqësor si dhe qasja sipas tyre, jo transparente e Qeverisë në negociatat më Greqinë. Në iniciativë është kritikuar edhe puna e të gjithë ministrave aktual.

Deputetët që kanë parashtruar mocionin, ka të drejtë fjale më shumë se një herë, ndërsa radhitja e tyre për fjalë bëhet në bazë të koordinimit me kreun e Kuvendit. Seanca për mocionin e besimit duhet të mbarojë deri në mesnatë, ndërsa votimi i saj ditën e nesërme. Mos besimi votohet me shumicë të thjeshtë.