20:14 / E Enjte, 23 Gusht 2018 / indeksADMonline

Nis Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Gjatë dhe të Shkurtë “Hyjnesha në fron”

Me një shfaqje vokalistike-muzikore duke shëtitur mbi shinat e trenit, me ç’rast brenda në njërin nga vagonët e tij do të shfaqet premiera rajonale e filmit “Breathing into Marbles”, (“Frymë në mermer”) do të fillojë Festivali Ndërkombëtar i Filmit Artistik dhe të Shkurt, “Hyjnesha në fron” (HnF), edicioni i 11-të, në Prishtinë.

Është filmi i metrazhit të gjatë, zhanrit dramë, i prodhimit kroato-lituanez, “Breathing into Marbles”, i regjisorit Giedre Beinoriute, që do të hapë perdet e skenës së njërit prej festivaleve më të shquar në Kosovë dhe jashtë vendit, meqë një pjesë e konsiderueshme e programit të tij do të lansohet nëpërmjet repertorit të tij në tren.

Filmi është i bazuar në novelën me të njëjtin titull nga letërsia lituaneze, ku në fokus ka një familje lituaneze nga një paralagje qytetit, dy intelektualë bashkëshortorë që ballafaqohen me disa vështirësi sociale dhe me zgjedhje të detyrueshme përpara obligimeve të përditshmërisë. Një baladë romantikë me nuanca të trilerit, kështu është cilësuar zhanri i tij nga kritika ndërkombëtare.

Edicioni i 11-të i festivalit të “HnF-së, do të zgjasë gati një javë, deri më datën 26 gusht, kur do të mbarojë programi si dhe do të shpallen fituesit në disa kategori përkatëse.

Juria në përbërje: regjisori Mark Norfolk, regjisori Agim Sopi, filmkrijuesi Eswin Mingard, gazetarja Kimete Berisha, regjisori Naser Shatrolli dhe regjisori Yll Berisha do të ndajnë staujën e festivalit, Çmimin e Hyjneshës në fron në disa kategori, përfshirë, çmimet për Filmin më të mirë të gjatë dhe për Filmin më të mirë të shkurtë.

HNF-së gjatë viteve të kaluara ka krijuar një rrjet të miqësisë dhe filmkrijuesve të ndryshëm nga mbarë bota duke patur në repertorin e vet filma që nga Japonia, Evropa e deri në Shtetet e Bashkuara, ndërsa në zyret e veta ka patur një numër të konsiderueshëm të vetë regjisorëve të filmave që janë njohur për së afërmi me Prishtinës.

Festivali “Hyjnesha në fron” viteve të kaluara është mbajtur në qytete të ndryshme, përfshirë Fushë Kosovën, por këtë vit mbahet në Stacionin e Prishtinës, ndërsa premierat qendrore të festivalit shfaqen në Kino “Armata”, Prishtinë./Indekonline/