23:11 / E Hënë, 03 Shtator 2018 / indeksADMonline

Nis gjykimi i të akuzuarve për keqpërdorim me mantela në Spitalin e Gjakovës

Tetë persona, përfshirë edhe drejtorin e spitalit të Gjakovës, të akuzuar për keqpërdorim, kanë dalë sot para gjyqit.

Të akuzuarit Mirlinda Shehu-Kaqi, Flamur Zeneli, Mirlinda Mullahasani, Mentor Bytyqi, Kumrije Kameri, Adnan Brovina, Skender Ncrecaj dhe Ahmet Asllani, sot para gjykatës u deklaruan të pafajshëm për veprën që ju ngarkohet.

Prokuroria i akuzon që të tetë punëtorët se kanë ndërtuar një rrjet të keqpërdorimit me mantela për stafin e spitalit.

Sipas aktakuzës, këta të akuzuar furnizimet me mantela për spitalin që kryheshin me sasi më të vogla në letra i shënonin në sasi më të madhe të mallit.

Prokurori i rastit Agron Matjani, nuk i kundërshtoi deklarimet e të pandehurve, mirëpo theksoi se mbetet pranë aktakuzës dhe provave të bashkangjitura në aktakuzë.

Tetë të akuzuarit, dy prej të cilëve përfaqësues të një biznesi, si dhe drejtori ekzekutiv i spitalit “Isa Grezda” Ahmet Asllani, akuzohen nga Prokuroria e Gjakovës se manipuluan me numrin e mantelëve të cilat ishin paguar nga Spitali.

Dy të pandehurit Mirlinda Shehu, menaxhere në ndërmarrjen El-Ri Graphic dhe Flamur Zeneli, po akuzohen se nuk i kishin dorëzuar spitalit mantelët të cilët ishin të paraparë në kontratë.

“Në kontratë përfshiheshin 48 copë mantelë me ngjyrë të bardhë, 302 copë pantolla dhe bluza të bardha, 78 copë pantolla dhe bluza të gjelbërta, 41 copë pantolla dhe bluza të pembe dhe 17 copë me ngjyrë të kaltërt, ku vlera e këtyre arrin në 9.855 euro”, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa tre të pandehurit Mirlinda Mullahasani, Mentor Bytyqi dhe Kumrije Kameri, kishin nënshkruar dokumentacionet të cilat tregonin se materialet janë dorëzuar.

Për të pandehurin Adnan Brovina në aktakuzë thuhet se në cilësinë e personit zyrtar-depoist, ka pranuar më pak uniforma se sa ishte e përcaktuar në kontratë.

Sipas aktakuzës poashtu ishte përfshirë edhe përgjegjësi i infermierëve Skender Ndrecaj, i cili thuhet se ka bërë presion tek depoisti për pranimin e sasisë më të vogël të mantelëve.

Gjyqtari i rastit, Shaqir Zika, konstatoi se palët kanë afat që deri në shqyrtimin e dytë të caktuar me datë 8 tetor të paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me aktakuzën./Kallxo.com/