14:30 / E Hënë, 19 Mars 2018 / indeksADMonline

Një muaj paraburgim për vrasjen e Armendit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.T, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Vrasja nga neni 178 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

 Të pandehurit F.T i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji dhe atë duke filluar prej dt. 17.03.2018 deri me dt.17.04.2018.

I pandehuri F.T dyshohet se me dt. 17.03.2018 rreth, në fshatin Babimovc, komuna e Obiliqit në firmën “Apetit Group”, në rrethana ende të pasqaruara e ka privuar nga jeta tani të ndjerin A.K, derisa i njëjti kishte qenë duke punuar.

I pandehuri F.T kishte shtënë me armë zjarri të cilën e mbante në mënyrë të paautorizuar, e kishte goditur një herë në pjesën e përparme në kraharorë tani të ndjerin A.K dhe kishte ikur nga vendi i ngjarjes, me ç’ rast të njëjtit i kishte shkaktuar plagë të rënda trupore vdekjeprurëse dhe në QKUK në Prishtinë ishte konstatuar vdekja e tij.

Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendej i pandehuri në liri mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe kërkesa për  caktimin e  masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.T është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën së Apelit të Kosovës./Indeksonline/