15:29 / E Premte, 19 Janar 2018 / indeksADMonline

Një proces sfidues, i vonuar dhe sezifian!

Shkruan: Halit Krasniqi

Kërkesa për një gjykim të protagonistëve të luftës së UÇK-së, ishte e pa drejtë. Akuzat e ngritura në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ishin insinuata pa skrupull dhe naive në ekspozim të parë, të sponsorizuara nga adresat sot dhe atëherë të njohura për të gjithë vendorët dhe ndërkombëtarët, me një dosje shpifjesh rreth 30 mijë faqe! Doemos nga momentet e para të shfaqjeve të këtyre pretendimeve, është dashur të pasonin angazhime intensive profesionale, për t’i kundërshtuar ende pa kaluar në vendime detyruese ndaj institucioneve atëherë pa diskutim të brishta të Kosovës.

Krijimi i Dhomave të specializuara të Gjykatës speciale dhe të Zyrës së Prokurorit special, ishte një gabim i radhës, por i pa evitueshëm. Madje i domosdoshëm pasi materia e saj kaloi procedura në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Ndoshta, faza e fundit kur mund të bënim një hezitim të paktën me forma e metoda obstruksioniste, të arsyetuara vazhdimisht me sens bashkëpunues me qendrat e miqve tanë të cilat kërkonin padrejtësisht dhe sigurisht pa vullnetin e tyre real, krijimin e një institucioni penalizues. Edhe pse gama e goditjeve nuk ishin vetëm protagonistët e luftës së UÇK-së, por edhe NATO dhe roli i saj në bombardimet 78 ditëshe pa vendime të Këshillit të Sigurimit të OKB-s, duke e vënë në dyshim edhe qëllimin kryesor të saj; politikat e koalicionit perëndimor në mbështetje të ngritjes së institucioneve të Pavarura të Kosovës dhe gjithashtu edhe të inkurajimit për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Atëherë, justifikimi i qendrave miqësore ishte sugjestionues: Në këtë formë mund të kontrollohej procesi hetues dhe pretendimet e iniciuesve mund të administroheshin nga ekspertë të shteteve mike dhe njohës me eksperienca të mëparshme nga pasojat e luftërave në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe materialet vulominoze dhjetëra mijëra faqesh të përgatitura nga Shërbimi sekret i Beogradit, së bashku me prokurorët e prokurorisë së Serbisë. Vetëm ekipi i udhëhequr nga Ëilliamson mund t’i skanonin me sa më pak pasoja për të hequr sintagma e hipoteka ku edhe nuk do të duhej të kishte. Sepse krimi e gjenocidi kishte adresë të njohur ndërkombëtarisht: në Serbi! Në institucione të shtetit serb dhe të organizimeve tjera të njohura kriminale.

Ndërsa një Komision për krimet e Serbisë në luftën e fundit, i ngritur nga institucionet e Kosovës, asnjëherë nuk publikoi punën e tij. Anëtarët e këtij Komisioni asnjëherë nuk shprehen keqardhje pse nuk justifikuan besimin e dhëne dhe as institucionet që i paguan më tepër se dhjetë vjet këta anëtar, nuk i kritikuan publikisht pse ky komision nuk përmbushi misionin që do të na shërbente tani në këtë proces shumë sensitiv.

Tani megjithëkëtë, çdo refuzim për Dhomat e specializuara, mund të kishte një logjikë deri në kufijtë kohor për kërcënim, që materia e këtij procesi mos të shkonte në mekanizmat e OKB-së. Pas vendimeve në Kuvendin e Kosovës më 2015 dhe pas krijimit të Dhomave të specializuara, e pas emërimit pastaj të personalit profesional dhe krijimit të infrastrukturës duke u ndarë fondet për funksionalizimin e kësaj gjykate nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, çdo kundërshtim i yni tani, është me pasoja më të mëdha se sa mund të imagjinohen, për: protagonistët përgjegjës të institucioneve të Kosovës; për institucionet e Kosovës; për procesin e njohjeve ndërkombëtare, për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe për perspektivën e përgjithshme euro atlantike të vendit tonë. Kjo do ta krijonte zhgënjimin e të gjithë atyre që na ndihmuan dhe rivlerësimin atyre që na kundërshtuan: për pazotësi e pa përgjegjshmëri në marrëdhënie të pa merituara kontraktuale ndërkombëtare.

Paraqitjet e shpeshta të Ambasadorit të SHBA-së, të përfaqësuesit të BE-së dhe të ambasadorëve të shteteve të Kuintit, po të bëheshin edhe nga zyrtarë të niveleve më të ulëta të këtyre përfaqësive, ne do të duhej t’i dëgjonim pa respekt dhe t’i merrnim në konsidertë të domosdoshme. Ndërsa paraqitjet e zërave të parë të ambasadorëve, do të duhej të na bindnin se situata është e pa kthyeshme. Nëse edhe në këtë komunikim ka pasur dilema, pas paraqitjes së sekretarit të shtetit të ShBA-së në mbështetje të qëndrimeve të ambasadorit të SHBA-së, me porosi eksplicite që procesi i Dhomave të specializuara nuk ka kthim mbrapa, çdo njeri prej nesh sado i pa kënaqur me këtë proces dhe sado i predispozuar për kundërshtim, do të duhej të ndërronte qasje dhe të kërkonte mundësi për të ndërtuar strategji pajtuese dhe inkurajuese për të gjithë ata që do të atakohen nga dyshime të pa drejta gjatë këtij procesi.

Hapur, dihet fakti i dhimbshëm se shumë kuadra drejtuese të luftës dhe ushtarë te UÇK-së me detyra specifike, do të goditën padrejtësisht. Duke ua ndërprerë jetën pamëshirshëm përkohësisht, deri të mbyllën dyshimet gjatë administrimit në ballafaqim me provat e imagjinuara e të grumbulluara nga Beogradi në përmasa voluminoze dhe të servuara në Zyrën e Kryeprokurorit Williemson.

Me këtë rast nuk do të goditën vetëm ata që do të arrestohen dhe të ekstradohen në Hagë, por edhe familjet e tyre, gjithë bashkëluftëtarët dhe gjithë qytetarët e ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm të Kosovës, të cilët do të manifestojnë dhimbjen dhe keqardhjen për këtë padrejtësi ndaj atyre që jetën e afruan në shërbim gjatë luftës, pa ditur se do të shpëtonin, por me gatishmërinë për flijime çfarë do që të kërkohen, vetëm sado qoftë e mundur nga ana e tyre të kontribuonin në kauzën e luftës për t’i sjellë lirinë e vendit tonë. Dhe, së bashku me këtë dhimbje e keqardhje, do t’i shoqëroj edhe brenga për krijimin sintagmave e hipotekave të pa merituara dhe të cilat do të duhej të kërkoheshin vetëm në adresat e ushtrisë dhe milicisë së Serbisë, në adresat militare e paramilitare famëkeqe të Serbisë të njohura tanimë edhe hierarkitë e tyre monstrume në ushtrimin e dhunës dhe në kryerjen e masakrave në Kosovë ndaj popullsisë civile të pa mbrojtur.

Faktet e dhunës mbi shqiptarët, të eksodit biblik, të masakrave në përmasa gjenocidale duhet të administrohen me fakte të mjaftueshme që kemi dhe të dërgohen në zyrën e kryeprokurorit Williamson, sepse kompetencat janë të mjaftueshme që ky kapitull i drejtësisë ndërkombëtare të mos ketë emërtim me konotacione të pa dëshirueshme e të pa merituar përfundimisht, por ta kuptimësojmë ashtu si do të duhej që Dhoma e Prokurorit special të jetë e sfiduar me stiva materialesh të faktuara për të gjitha aktet e dhunës në përmasa trishtuese, pa imagjinuar aspak, por vetëm me administrim faktesh gjatë viteve që janë në kompetencë të Gjykatës speciale dhe të Prokurorit special.

Përndryshe, kundërshtimi i këtij procesi është tejet sfidues e me pasoja, shumë i vonuar dhe plotësisht sezifian!