16:31 / E Shtunë, 11 Gusht 2018 / indeksADMonline

Nuk pajtohen për çmimin e një gypi, rrihen e gjuhen me armë burrat në Prizren

Policia rajonale e Prizrenit ka njoftuar për një rast të rrahjes që ndodhi sot në mesditë në lagjen “Dardani”, ku njëri prej të përfshirëve kishte armë në dorë.

Sipas policisë, ngjarja ndodhi pasi dy persona shkuan te një punëtori për të kërkuar një nder dhe nuk mundën të bien në ujdi, transmeton Indeksonline.

Meqë nuk ranë ujdi për pagesën, njëri nga të përfshirët ka shtënë me armë jashtë oborrit të punëtorëisë.

Më poshtë njoftimi i plotë:

Rreth 12:00 një qytetar e ka informuar policinë e Stacionit  Policor “Veriu” në Lubizhdë se në Lagjen “Dardani”  disa burra po rriheshin dhe njëri prej tyre kishte një armë në dorë. Pas hetimeve fillestare bëhet e ditur se dy të dyshuar, hëpërhë të panjohur për policinë, kishin shkuar në një punëtori ku përpunohet metali dhe kishin kërkuar që ta lakojnë një gyp.

Me gjasë nuk  kanë rënë në ujdi rreth pagesës për punën e kryer dhe rasti ka dalë jashtë kontrolli duke kaluar në rrahje. Gjatë përleshjes njëri nga punëtorët ka shkrehur disa fishekë nga arma kallashnikov e cila është gjetur e hedhur jashtë oborrit të punëtorisë. Përpos armës kallashnikov e prodhimit jugosllav janë sekuestruar edhe 22 fishekë dhe katër gëzhoja.

Për të gjitha këto është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që të vazhdohet me hetimin e rastit ndërsa provat materiale dhe shkresat e lëndës t’i kalojnë prokurorisë për procedura të më tejme. /Indeksonline/

 

 

 

Temat: