13:23 / E martë, 13 Dhjetor 2016

A do frymëzohen shqiptarët nga italianët t`i japin një mësim Ramës si Renzit?

A do frymëzohen shqiptarët nga italianët t`i japin një mësim Ramës si Renzit?

Kryeministri italian, Mateo Renzi, pësoi një humbje të rëndë në referendumin e 4 dhjetorit. Italianët u thanë “jo” ndryshimeve kushtetuese që propozonte qeveria e tij dhe kjo e detyroi atë të jepte dorëheqjen. Ishte një humbje e rëndë për Renzin, që është komentuar shumë edhe në Shqipëri, qoftë për arsyen se shqiptarët ndihen më pranë Italisë se çdo vendi tjetër, qoftë për faktin se dy kryeministrat tanë kanë pasur marrëdhënie të afërta, ndoshta më të afërtat në historinë e marrëdhënieve të paraardhësve të tyre. Kjo ka bërë që një pjesë analistësh te ne ta shohin humbjen e Renzit edhe si parathënie të humbjes së Ramës, i cili, sipas tyre, po i humbet një nga një udhëheqësit mbështetës të tij në Perëndim.

Po a është ky një parashikim i drejtë? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje le të ndalemi në krahasimin midis Italisë së Renzit dhe Shqipërisë së Ramës, në ngjashmëritë dhe diferencat midis tyre.

Nuk ka dyshim se nëse do të kërkojmë ngjashmëritë, ato do t’i gjejmë si në tipologjinë e të dy liderëve (më së shumti), edhe në disa tipare të përbashkëta të sistemeve që vijnë nga fakti se Italia ka qenë veçanërisht model i Shqipërisë postkomuniste. Për sa i përket tipologjisë së dy liderëve do të theksoja disa ngjashmëri të dukshme, që nuk burojnë vetëm nga karakteret e dy personave në fjalë, por janë edhe reflektim i një modeli politikani të kohës.

Së pari, edhe Renzi, edhe Rama akuzohen në vendet e tyre për personalizim të politikës, për prirje të theksuar për t’iu imponuar institucioneve.

Së dyti, që të dy akuzohen si politikanë me lidhje me ato që në Itali i quajnë “poteri forti” (pushtete të forta) apo më saktë si përfaqësues të interesave të tyre dhe, më në përgjithësi, të kastave të vendeve të tyre.

Së treti, edhe Renzi, ashtu si Rama, shquhen për prirjen për ta zëvendësuar politikën e aksioneve të mira me propagandë mediatike dhe akuzohen se kanë vënë në kontroll mediat kryesore (Renzi veçanërisht RAI-n, çka ra në sy si asnjëherë tjetër gjatë kësaj fushate për referendumin.) Për sa i përket sistemit politik ekonomik do të veçoja faktin se edhe Italia vuan nga partitokracia që pengon forcimin e shtetit të institucioneve, në favor të shteti të klientelave të partive, si dhe modelin Berlusconi të konfliktit të interesave për shkak të përqendrimit të pushteteve politike, ekonomike dhe mediatike në të njëjtat duar.

* * *

Shkaqet e humbjes së Renzit më 4 dhjetor janë komentuar në Itali nga shumë këndvështrime. Ka pasur nga ata që e konsideruan referendumin më shumë social, sesa kushtetues, në kuptimin se “po”-ja dhe “jo”-ja ndau shtresat më në gjendje ekonomike dhe në moshë më të madhe, nga shtresat më të varfra dhe në moshë më të re. Ka pasur të tjerë që e kanë vënë theksin tek euroskepticizmi në rritje i italianëve, i lidhur edhe me problemin e ndalimit të emigracionit. Por të gjithë komentatorët, edhe mbështetësit e Renzit madje, vënë në dukje se “jo”-ja që triumfoi më 4 dhjetor ishte, mbi të gjitha, një shuplakë që italianët i dhanë arrogancës së një Kryeministri që, nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, kërkonte të rriste fuqinë e tij e të partisë që drejton, duke dobësuar instrumentet mbrojtëse të demokracisë që Italia ka ngritur pas dramës së fashizmit. Një tentativë të tillë, të propozuar në emër të qeverisshmërisë dhe semplifikimit, italianët ia refuzuan edhe Berlusconi-t në vitin 2006, po nëpërmjet një referendumi. Kësaj here, të majtë dhe të djathtë, euroskeptikë dhe europianistë, ish-partizanë dhe pasardhës të Movimento Sociale-s, së bashku me konstitucionalistë dhe intelektualë të njohur krijuan frontin e “Jo”-së, që fitoi me 60%, duke e çuar Renzin në shtëpi.

* * *

Pyetja që shtrohet, kur e ballafaqojmë këtë realitet italian me realitetin shqiptar, është: Të ndodhur përballë një Kryeministri që dukshëm po shfaq, madje në masë shumë më të ekzagjeruar, tiparet e arrogancës dhe personalizimit të Renzit, e që, po ashtu, ka prapa “pushtete të forta” shumë herë më agresive se në Itali, a do të mundnin shqiptarët, të frymëzuar edhe nga italianët, t’i jepnin një mësim Kryeministrit Rama? Apo do të vazhdojmë të zhytemi gjithnjë e më shumë në pasivitet dhe nënshtrim përballë arrogancës në rritje të Ramës dhe të “pushteteve të forta” që e mbështesin atë?

Personalisht, përtej ngjashmërive që përmenda, shoh ndryshime të mëdha midis dy realiteteve që nuk më lënë shumë vend për optimizëm.

Ndryshimi thelbësor qëndron në faktin se nëse Italia e Renzit sot mund të konsiderohet një “postdemokraci” – në kuptimin që i jep Colin Crouch kalimit të shumë vendeve perëndimore nga vendimmarrja e popullit në vendimmarrjen e “pushteteve të forta” – Shqipëria e Ramës është një parademokraci, që do të thotë se nuk e ka njohur ende demokracinë.

Nëse do të përdorja një metaforë, për të bërë dallimin midis postdemokracisë dhe parademokracisë, do të thosha se postdemokracia nënkupton se më parë e ke provuar demokracinë, çka do të thotë se ke kaluar një sprovë/ethe antiautoritare që të ka krijuar njëlloj imuniteti. Kurse parademokracia nënkupton se ky imunitet të mungon, pasi sëmundja nuk të ka kaluar ende dhe mund të përkeqësohesh shumë lehtë.

Në fakt, Shqipërisë nuk i mungon një përvojë e refuzimit të prirjeve autoritare. Ajo ka arritur të kryejë tri rotacione pushteti në këta 25 vjet ku, pa dyshim, ka ndikuar edhe refuzimi i prirjeve autoritare të liderëve të radhës e, më gjerë, prirja e partisë më të madhe për t’u bërë e vetmja parti-shtet. Por kaq nuk mjafton për të thënë se e kemi imunitetin që treguan italianët ndaj sëmundjes së autoritarizmit, i cili shfaqet sot në formën e një regjimi më soft, që nuk ushtron dhunë policore, por dhunën strukturore të sistemit – quaje po deshe mediatik, plutokratiko–oligarkik, i totalitarizmit të parasë. Ne jemi ende në fazën e arrogancës së pushtetit që synon ta vërë poshtë përfundimisht parademokracinë shqiptare, pa na lënë ta krijojmë antikorpet imunitare ndaj saj. Në një shkrim të disa viteve më parë, sëmundjen që s’na le të ndërtojmë demokracinë e kam krahasuar me sëmundjet autoimunitare si SIDA, viruset e të cilave prodhojnë trupa që vrasin antikorpet imunitare të organizmit. Këto antikorpe në demokraci duhet të jenë një gjyqësor vërtet i pavarur, një medie vërtet e pavarur, një shoqëri civile vërtet kundërpart i pushtetit e të tjera vlera si ato që tregoi se i ka në masën e duhur kritike postdemokracia italiane, për të mos lejuar synime si ato të Renzit. 

P.sh., në Italinë e sotme gjen një respekt për ligjin dhe opinionin publik që e bën të pamundur edhe ta imagjinosh se aty mund të ndodhin akte të tilla si ato që bën Kryeministri ynë përditë kur u jep koncesione miqve apo sponsorëve të partisë së tij, apo kur shemb stadiume e prish sheshe pa bërë merak as që të respektojë ligjin, lëre pastaj opinionin. Në Itali gjen një ekonomi që, me gjithë vështirësitë që ndesh, është shumë e larmishme dhe njëmijë herë më e pavarur nga shteti e nga krimi, duke i bërë njerëzit, kësisoj, shumë më të pavarur nga kërcënimet e taksidarëve, policëve e kriminelëve të tij. Por, mbi të gjitha, ndryshimin e gjen te kultura dhe morali i njerëzve. Në Itali gjen pa numër njerëz që mendojnë me kokën e tyre dhe jo sipas liderit të radhës apo ambasadorit të radhës. Edhe Renzi shkoi në SHBA e mori mbështetjen e Obamës, kishte edhe mbështetjen e Merkelit, por 60% e italianëve nuk deshën t’ia dinin për këtë. Po ashtu, në sajë të një sistemi arsimor dhe edukativ që ka ende në krye njerëz seriozë dhe të përkushtuar dhe jo batakçinj e mashtrues të paturp, në sajë të intelektualëve të shumtë që e përqeshin dhe përçmojnë servilizmin ndaj pushtetit, dija dhe vlerat intelektuale e shpirtërore të njerëzve në Itali vazhdojnë të kultivohen si në botën laike dhe në botën fetare, duke bërë që njerëzit të kenë më shumë respekt për veten, prandaj dhe për tjetrin, më shumë solidaritet, ndjeshmëri ndaj ruajtjes së natyrës kundër agresionit të industrisë së përfitimit etj. Është pikërisht ekzistenca e këtyre antikorpeve ndaj arrogancës që i dha mësimin e duhur Renzit më 4 dhjetor.

Në Shqipëri, njerëz si Kryeministri dhe ata të pushteteve të forta rreth tij (që deri dje rrethonin Kryeministrin paraardhës), ashtu si viruset e sëmundjeve autoimunitare, punojnë përditë për t’i mbytur antikorpet e pakëta imunitare që ka prodhuar shoqëria parademokratike shqiptare. Prandaj sot mund të thuash se parademokracia në Shqipëri është e shtrirë përtokë. Edhe vetë fakti që njerëzit shpresojnë se kjo gjendje mund të ndryshojë duke e hequr një arrogant si Rama me ndihmën e Trump-it apo udhëheqësve europianë që mund të zëvendësojnë Renzin apo Merkelin janë shenjë e sëmundjes. Më parë se të ndodhë kjo, mund të ndodhë që sëmundja të avancojë deri sa të vrasë edhe viruset e së keqes dhe gjithçka të fillojë nga e para.

* Opinion i shkruar për “Panorama”./panorama.al/

Lexo të tjera