12:24 / E mërkurë, 14 Qershor 2017

A ka ardhur koha për një marrëdhënie të re midis fesë dhe shtetit?

A ka ardhur koha për një marrëdhënie të re midis fesë dhe shtetit?

Shkruan: Ermir Gjinishi

Ajo që Plutarku sjell në përshkrimin e tij që nga antikiteti, mbi historikun e raportit midis qytetërimit dhe religjionit është ende e vërtetë sot e kësaj dite: “Gjatë historisë ka mundur të ndodhë që të ketë qytete pa fortifikata, pa shkolla, pa pallate luksoze, pa bibliotekë, por asnjëherë nuk është hasur ndonjë qytet pa faltore”. Historia njerëzore nuk njeh asnjë gjeneratë, asnjë popull që të mos ketë shprehur në forma të ndryshme besimin, si pjesë e pandarë e kulturës së tij. Të gjitha qytetërimet e mëdha kanë epiqendër qytetin, bashkë me të dhe tempullin. Tempulli përbën një tjetërsim historik shpirtëror. Ai përcjell praninë e një orientimi shpirtëror, social e kulturor të caktuar autentik, në formë e përmbajtje.

Bota moderne sot ndryshon shumë prej asaj që ka qenë dikur. Ndryshimet e thella në strukturën e shoqërisë dhe të botës kanë reflektuar dhe në ndryshimet fetare. Këto dallime dëshmojnë kalimin në një realitet shoqëror tjetër, atë të epokës historike të ardhshme. Megjithëse globalizmi, tipari kryesor i zhvillimeve të shek. XXI, po imponon me shpejtësi veten, për shumë njerëz ai akoma vazhdon të mbetet një term i cili nuk nënkupton apo nuk i përgjigjet asnjë gjendjeje reale të mirëpërcaktuar. Megjithatë, pamja fillestare e prezantimit ose paraqitjes së tij ka krijuar një gamë të gjerë interesi e shqetësimi njëkohësisht, mbi atë çka do të jetë forma përfundimtare. A do të shndërrojë botën globalizmi në një hapësirë të përbashkët ku respektohet pluraliteti multidimensional apo do imponojë më shumë kufizime e trysni për veçoritë kulturore në favor të një kulture të vetme dominuese?

Që në vitin 2000, raporti i Kombeve të Bashkuara mbi zhvillimin e shoqërisë ndalet në shqetësimin e vërshimit të kulturave të huaja të cilat mund të shkaktojë prishjen e pluralitetit kulturor në botë, si dhe ndjesinë e frikës së humbjes së identitetit kulturor te popujt. Tëhuajëzimi i kulturave mbetet shqetësimi kryesor në procesin e globalizimit.

Fetë janë të lidhura ngushtë me sensin e tyre të kohës dhe hapësirës përmes interpretimeve të tyre historike, të teksteve të shenjta, adhurimeve, tempujve, gjuhëve dhe treguesve të tjerë kulturorë autentik. Në çdo shoqëri, individi formëson domethënien dhe kuptimin e tij për fenë, në formën e identitetit personal apo grupor, nëpërmjet ndërveprimit. Si i tillë, ai nuk është gjithnjë i qëndrueshëm, por ndryshon sipas roleve që merr individi në ndërveprimet me të tjerët dhe nga ndikimi që të tjerët kanë në zhvillimin e identitetit personal të tij, megjithëse ky ndikim nuk është përcaktues i prerë. Roli i fesë në krijimin e identitetit nuk është vetëm një çështje e një rëndësie filozofike apo teologjike. Ky raport formon implikime politike, ekonomike dhe sociale në çdo shoqëri. Fetë janë pjesë përbërëse e rëndësishme e identitetit personal, familjar, komunitar, kombëtar e ndërkombëtar.

Po të kemi parasysh natyrën e kombit si pjesë e një identiteti të vetëm të përbashkët, në një vazhdimësi historike, që krijon elementet e një kulture të përbashkët, dimensioni religjioz shoqëror është pjesë e këtij identiteti të përbashkët, e kësaj kulture, e kësaj vazhdimësie. Në këtë lidhje ngushtësisht të ndërthurur, feja mund të jetë mjet, përmes të cilit një popull shpreh, rikonfirmon ose tëhuajëzon identitetin dhe aspiratat e tij.

Ndërkaq, trajtimi i besimit vetëm si një çështje private apo personale sjell dy problematika: Së pari, privatësia fetare krijon një standard diferencues, deri dhe përjashtues, midis privates dhe publikes. Në shoqërinë bashkëkohore forca kryesore motivuese në sferën publike është premtimi për një nivel të caktuar të konsumit, që nënkupton standardin material të jetës. Së dyti, privatësia shumë njerëzve iu krijon probleme të kuptimit dhe integrimit. Njerëzit për të ruajtur besimin e tyre fetar, në kontekstin e botës pluraliste, iu drejtohen strukturave të besueshme shpirtërore si kisha, xhami, sinagoga, tempuj të ndryshëm, organizata fetare… etj. Disa prej tyre e kanë të vështirë të ndërtojnë një identitet të qëndrueshëm kur distanca mes privates dhe publikes është shumë e madhe. Kjo distancë ndikon në integrimin e gjerë shoqëror të individit, në marrëdhëniet mes tij dhe shoqërisë. Manifestimet e ndryshme fetare bashkëkohore janë pjesërisht përgjigje ndaj kësaj nevoje. Rritja e individualizmit fetar është pasojë e diferencimit të madh midis privates dhe publikes. Më tej, autonomia private dhe individualizmi fetar në rritje do të thotë heqje nga sfera publike e vlerave të tjera pos atyre materiale, ekonomike. Këtë zgjidhje, sa përjashtuese aq dhe rivalizuese, refuzon Spinoza sipas të cilit hapësira publike nuk i takon as shtetit as fesë por individit.

Qasja ndaj interpretimit sekularist dhe lirisë fetare, ka krijuar diferencat e mjaftueshme për të kuptuar vështirësinë e ndarjes mes tyre, hapësirat e të cilave përcaktohen nga interpretimi i ligjit jo nga vetë ligji. Laicizmi duhet parë si një hapësirë e përbashkët e të gjithëve, ku secili ka vendin e tij, pa u imponuar në ndërgjegjen e askujt. Çështja e identitetit në pamje të parë na drejton në një hapësirë më të gjerë, atë të identitetit shoqëror. Kështu, ne nuk mund ta trajtojmë më vete identitetin, pa përcaktuar dimensionin shoqëror të tij. Identiteti shoqëror është rezultat i ndërveprimeve të ndryshme ndërmjet individit me mjedisin shoqëror që e rrethon atë, i afërt apo i largët qoftë. Ai karakterizohet nga grupimi i përkatësive/lidhjeve të tij me strukturën sociale dhe përmbledh përkatësinë e moshës, kombësisë, shtresës sociale, përkatësitë ideore…etj. Identiteti shoqëror/social nuk lidhet vetëm me identitetin individual. Si një grupim që përfshin anëtarë të ngjashëm mes tyre, në një farë mënyre, ai është përfshirës dhe përjashtues në të njëjtën kohë. Duke e parë në këtë këndvështrim, trajtësimi i ndryshimeve përbën identitetin kulturor, i cili përcakton në mënyrë kategorike dallimet ndërmjet grupeve shoqërore, duke formuar diversitetin kulturor karakteristik brenda një shoqërie. Identiteti, është i lidhur pazgjidhshmërisht me ndjenjën e përkatësisë si një proces i vazhdueshëm ndërveprimi mes njerëzve, për këtë arsye ai nuk është gjendje statike. Natyrshëm çdo tëhuajëzim i kontekstit religjioz historiko-kulturor, do të ndikojë në riformësimin e një identiteti religjioz ndryshe nga ai tradicional dhe kjo nuk mund të mos influencojë në identitetin shoqëror apo kombëtar.

Marrëdhëniet midis politikës moderne dhe fesë, pavarësisht shekullarizmit shtetëror, sjellin eksperienca të ndryshme. Ndonjëherë është e vështirë të përcaktosh ku fillon njëra e ku mbaron tjetra, sepse aplikimi praktik i hapësirave nuk ka të njëjtën formë. Shpesh ato mundohen të përfitojnë nga njëra–tjetra duke u bërë njëkohësisht pjesë e të tërës. Midis lirisë fetare, si një e drejtë universale dhe laicizmit si parim kushtetues modern, në praktikë vazhdon të ketë shembuj kontradiktorë. Modelet e ndryshme të këtyre raporteve reflektojnë në qasjet kuptimore, ideologjike e praktike, në implikimet politike, ekonomike e sociale të çdo shoqërie. Implikimet e mundshme të botës religjioze me atë joreligjioze në rastet e keqpërdorimit fetar, mund të konfliktuojnë të gjitha sferat ku religjioni ushtron ndikimin e tij. Sakaq, kufizimi i vështirë, midis të drejtës pozitive fetare dhe lirisë negative të ushtrimit represiv të saj, tregon se karakteri sekularist i shtetit është kusht i domosdoshëm por jo i mjaftueshëm. Në kontekstin e sotëm, mbeten shqetësues komplikimet ideologjike e praktike të keqinterpretimeve fetare, të cilat kanë kulmuar në rritjen e ksenofobive dhe paragjykimeve, që kanë përligjur në mënyra manipulative përplasjen mes feve, minoriteteve etnike, kulturave dhe qytetërimeve, gjë që është krejtësisht e kundërta e doktrinave fetare. Për një lexim më korrekt të qëndrimeve fetare në përgjithësi, është e domosdoshme të bëhet diferenca midis fesë dhe fetarizmit apo parimeve doktrinare në tekstet e shenjta nga interpretimet e tyre. Vetëm se në këtë anomali, qasja nuk mund të jetë e njëanshme vetëm e institucioneve fetare, por edhe e shoqërisë civile, si një tërësi unike. Ndërkohë, institucionet fetare mund të gjejnë forma origjinale më prezente në shoqëri, të cilat e imunizojnë atë nga deformimet. Patjetër, një formim i klerit përtej arsimimit religjioz do ta bënte atë një zë më prezent në shoqëri.

Në një rajon ku feja përbën një burim të rëndësishëm identiteti personal apo shoqëror çdo hapje ndaj një konfigurimi politiko-fetar, hap njëkohësisht dhe një tjetër debat mbi rolin e fesë në shoqëri dhe marrëdhëniet e saj me shtetin e politikën. Shfaqja në Ballkan e një kulture të re politike e mbrojtur në mënyrë dogmatike, brenda një hapësire të pasur me alternativa identitetesh, etnish e kulturash, nëse do të ketë vazhdimësi, mund të kthehet në makthin më të madh të rajonit. Ajo që duhet të kuptojmë është se një strukturë e tillë e tëhuajëzuar është kapërcim i modelit modern të shtetit, i cili është ngritur mbi balanca të mirëpërcaktuara të raportit mes fesë dhe shtetit, prishja e të cilave zvetënon deri në zhbërje vetë modelin. Një deformim i tillë kërcënon ekzistencën e vetë sistemit sikurse prodhon një mutacion asimetrik në antitezë me strukturën ligjore, kulturore e sociale të shoqërisë ndërkaq, fshehja përballë këtyre të vërtetave shton në heshtje plasaritjet të cilat një ditë ndoshta do të jetë vonë për t’i ngjitur. Nga sa më sipër, pyetja e sinqertë që kërkon kurajë dhe mirëkuptim në këtë rast qëmton në një ofertë afatgjatë stabiliteti, paqe dhe sigurie sociale e politike: A ka ardhur koha për një marrëdhënie të re mes shtetit dhe feve? /Mapo/

Lexo të tjera