00:42 / E shtune, 01 Korrik 2017

Agjencia e Avancimeve Akademike, domosdoshmëri

Agjencia e Avancimeve Akademike, domosdoshmëri

Porosi për Ministrin e ardhshëm të Arsimit dhe Shkencës! 

Odisejadës së avancimeve akademike në Universitetin e Prishtinës nuk po i shihet fundi. E bllokuar në kohën e rektorit Ramadan Zejnullahu, me shumë kontestime në periudhat e pararendësve të tij, po ashtu as nën drejtimin e menaxhmentit aktual kjo çështje problematike nuk po gjen zgjidhje fatlume!  Jo se zgjidhje nuk ka dhe jo se zgjidhje nuk mund të bëhen edhe me kuadrin aktual ligjor, pasi statuti dhe rregulloret në fuqi japin zgjidhje deri diku, por interesat personale e grupore, mungesa e vullnetit apo guximit për t’i respektuar me paanësi këto norma, ka bërë qe procesi gjithnjë të përcillet me probleme të shumta.

E problemet dhe pakënaqësitë nuk kanë se si mos të lindin kur shkelet parimi bazë, që është ai i paanësisë, apo më saktësisht, i barazisë, ku rregullat e njëjta do të vlenin për të gjithë kandidatët.  Nuk mund të pretendosh se po zhvillon një proces të drejtë nëse bënë shkeljen themelor duke ndërruar kriteret e avancimit gjatë procesit.  Nuk mund të pretendosh se po krijon kushtet të barabarësisë kur kriteret që kanë vlejte për njërin kandidat, pas dy javësh nuk vlejnë për tjetrin.  

Thënë shkurt e thjesht, përkundër dëshirës, me improvizime nuk mund të realizosh proces të suksesshëm dhe të drejtë.

E konkursi i sapo përfunduar në UP e tregoj një gjë të tillë, duke mos dhënë fare sinjale se në të ardhmen do të ketë situatë më të mirë. 

Nëse e shikojmë problematikën nga një këndvështrim më gjithëpërfshirës, ku hyjnë në analizë shqyrtimi gjetjet e zgjidhjeve edhe për avancimet në institucionet tjera të arsimit të lartë, qoftë publik apo privat, atëherë shohim se kemi një situatë më komplekse, me shumë padrejtësi dhe paqartësi, që kërkon zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme.

Zgjidhja më ideale për aktualitetin kosovar, do të ishte krijimi i një mekanizmi institucional në nivel kombëtar, i tipit të një Qendre apo Agjencie Kombëtare për Avancime Akademike, apo me ndonjë emërtim tjetër, që do të vepronte në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.  

Ky institucion, që do të përbëhej nga personalitete të dëshmuara akademike me integritet personal dhe profesional, do të duhet që, në koordinim me universitetet dhe fakultetet, të vendos për kriteret e përgjithshme dhe specifike, të cilat do të duhej t’i plotësoj çdo kandidat që pretendon të merr thirrje akademike përkatësisht të avancohet në grada më të larta.  Kriteret specifike duhet të përcaktohen, nga fakultet e fushave të njëjta, ku patjetër që do të mund të marrin pjesë dhe përfaqësues të fakulteteve nga kolegjet private.  

Këtu theksi është kryesisht për listën e revistave shkencore që do të ishin të pranueshme për tu njohur punimet, pasi çdo fushë ka specifikat e veta.  Për dallim të kritereve aktuale, ku realisht ka vetëm një kriter kryesor, që është numri i punimeve shkencore në revista ndërkombëtare, zgjidhja më e mirë dhe më reale do të ishte funksionimi i sistemit të pikëve, ku padyshim që punimet në revista shkencore ndërkombëtare me kredibilitet do të duhej të ishin kriter kryesor i pakapërcyeshëm, por do të duhej të vlerësoheshin me pikë (sado pak qofshin) edhe botimet në revista të universiteteve dhe pjesëmarrja në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.  

Kjo do të ndihmonte që të zhvilloheshin revistat vendore të universiteteve apo fakulteteve të ndryshme e sidomos në organizimin e konferencave shkencore (ndoshta do të ishte mirë që Qendra apo Agjencia Kombëtare për Avancime Akademike të vendoste edhe kriteret për licencimin e revistave dhe konferencave shkencore që zhvillohen në kuadër të universiteteve në Kosovë).  

Po ashtu me pikë do të duhej të vlerësoheshin edhe botimet e librave universitar, monografitë, mentorimi në tema masteri dhe doktorate, udhëheqja e projekteve shkencore dhe të ngjashme. Funksionimi i këtij modeli apo procedurat që do të duhej të ndiqeshin do të ishin të thjeshta. Çdo kush nga stafi akademik që pretendon se plotëson kriteret për tu avancuar në grada akademike, kurdo mund të aplikoj në Agjencinë për Avancime, pa pas nevojë të pritet periudha katërvjeçare për ata që i plotësojnë kriteret më herët dhe e kundërta.  Këtu shtrohet pyetja se çfarë të bëhet me profesorët që pranohen për herë të parë. Ata mund të pranohen nga fakultete si mësimdhënës universitar pa thirrje akademike.  Do të punojnë nën mbikëqyrjen e profesorëve dhe do të jenë të detyruar që për një afat të caktuar (besoj njëvjeçar) të marrin thirrjen e parë akademike nga Agjencia. Mund të ketë edhe modalitete të tjera në këtë për këto situata.  

Rezultatet e pritshme nga një model i tillë i organizmit do të vendosej një standard unik në nivel kombëtar që do të krijohen mundësi të barabarta për gjithë stafin akademik.  Në radhë të parë kjo do të ndikoj në rritjen e cilësisë së stafit akademik në të gjithë institucionet e arsimit të lartë në të gjithë vendin, por gjithashtu do të rriste edhe fuqizonte integritetin akademik të tyre, sidomos të atyre që punojnë në kolegjet private.  Stafi akademik nuk do të ndihej nën presionin e afateve por do të kishte një nxitje më të madhe për tu ngritur në karrierën akademike e shkencore.  

Po kështu, kjo do të lehtësonte në masë të madhe universitetet nga një barrë të cilën, është dëshmuar për të satën herë se, nuk janë në gjendje ta qojnë në vend pa u rrëzuar disa herë udhës.  Një rezultat tjetër do të ishte nxitja e universiteteve dhe fakulteteve të tyre për tu marrë më shumë me projekte kërkimore, duke organizuar konferenca dhe botuar revista shkencore, një komponentë kjo që lë shumë për tu dëshiruar aktualisht. P.S. I dashur Ministër i ardhshëm i Arsimit dhe Shkencës, kushdo qofsh dhe nga cilido tabor politik.  Nëse do të vendosësh stabilitet në këtë segment, lexoje dhe analizoje me kujdes këtë propozim-ide, besoj se do të të ndihmojë.  Që tash të siguroj se argumente kundër do të kesh nga të gjitha ata që kanë marrë dhe pretendojnë të marrin në mënyrë të pamerituar grada akademike. Shpresoj shumë të mos jesh njëri prej tyre! 

Lexo të tjera