15:59 / E martë, 21 Shkurt 2017

Akademikët me maska mbulojnë fytyrat e shefave

Akademikët me maska mbulojnë fytyrat e shefave

Shkruan: Smajl Latifi

Komisioni Qeveritar për Matjen e Territorit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga Hivzi Islami, nuk u krijua nga Isa Mustafa për ta bërë zgjidhjen e nyjes, por për të mbuluar skandalin e madh të Komisionit që e udhëhoqi Murat Meha. 

Sot, ranë maskat! Edhe njëherë u vërtetua se Isa Mustafa nuk po i ndal përpjekjet, e që në thelb janë edhe perverse, ku për të ruajtur pushtetin personal dhe të grupit, po mundohen ta justifikojnë dëmin politik dhe territorial që i shkaktuan Kosovës. 

Isa Mustafa e bëri këtë komision, jo për ta ruajtur Kosovën, por për ta shpëtuar lëkurën e vet dhe të Hashimit. E për t'u mbrojtur vet dhe për ta nxjerrë sadopak me 'fytyrë' Hashimin, neve veçse na janë forcuar argumentet që vërtet të dyshojmë fort se ata s'e kanë brengë nëse humb apo jo territor Kosova. 

E sa për argatët me pagesë ose pa pagesë, që i kontribuojnë tkurrjes territoriale të shtetit tonë, duhet ta kuptojnë se i kanë hyrë një rruge me shumë rreziqe për Kosovën. 

Ata duhet ta ndiejnë se sa e rëndë është barra e përgjegjësisë së tyre. Duhet ta dinë se taksat e popullit të Kosovës nuk mund të përdoren as për t'u shitur vet, e as për t'iu shërbyer kauzave që ia falin ose ja shesin tokat e Kosovës një shteti tjetër. Populli i Kosovës dhe territori i shtetit janë 1000 herë më me vlerë se sa çdo individ apo grup individësh, të cilët po i biejn gurit e drurit për t'ia shitur 'kalin e ngordhur' qytetarëve duke i rënë borisë shurdhuese, se Kosova me Çakorrin brenda Malit të Zi e insinuata si kjo, nuk po humbëka territor. 

Zotërinj, Mos na fyeni inteligjencën! Mos na merrni sikur s'po dimë e s'po shohim! Lerini 'pallavrat' dhe hiqni dorë nga mashtrimet akademike ordinere!


Lexo të tjera