10:13 / E mërkurë, 30 Nentor 2016

Arsimi në Kosovë në frymën e Raporti të Progresit 2016

Arsimi në Kosovë në frymën e Raporti të Progresit 2016

Po të lexohen me vëmendje raportet e progresit të Komisionit Evropian nga viti 2008, fjalia që përsëritët më së shumti e cila ka të bëjë me cilësinë sistemit arsimor në përgjithësi është,” Cilësia e arsimit duhet të përmirësohet në mënyrë të konsideruar, apo “Nuk ka pas progres në këtë drejtim nga viti i kaluar” apo “përgatitjet gjenden në fazë të hershme”.

Kjo vlen për të gjitha segmentet:

Të shkojmë radhazi, së pari për nivelet e arsimit parauniversitar:

1. Arsimi parashkollor

Në raport thuhet: “ Vetëm 3.7 % e fëmijëve të moshës 0-5 vjeç vijojnë arsimin parashkollor (në vitin 2015 përfshirja ishte 4.5%) dhe 74% e fëmijëve të moshës 5-6 vjeçe ndjekin arsimin parafillor” (e njëjta shifër ishte dhe në raportin e vitit 2015). Pra nuk kemi të bëjmë me kurrfarë progresi por me regres në shkallën e përfshirjes së fëmijëve, në segmentin më të rëndësishëm edukativ.

Pika më e dobët e këtij segmenti ka të bëjë me përfshirjen e fëmijëve të grupeve të margjinalizuara, romë, ashkalinjë dhe egjiptian dhe fëmijëve me nevoja të veçanta.

2. Arsimi fillor dhe i mesëm

Raporti konstaton se Korniza e Kurrikulit Shkollor edhe pse e aprovuar, vazhdon të mos zbatohet. Në këtë vit kjo kornizë, gjegjësisht vetëm një pjesë e saj-kurrikuli bërthamë, po pilotohet në 92 shkolla.

Pra kemi të bëjmë me një eksperimentim të pafund. Nga ana tjetër askush nuk është marrë me rezultatet e këtij procesi, kur dihet se mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësi e angazhuar në shkollat pilot, e kanë shpallë të dështuar këtë përpjekje të autoriteteve arsimore.

Nëse nuk kemi zgjedhuar plan-programe adekuate, tekste shkollore të përshtatshme dhe materiale tjera didaktike si mund të realizohet procesi edukativo-arsimor. Raporti është me të drejtë, shumë kritik në cilësinë e teksteve dhe materialeve tjera mësimore.

Arsimi profesional menaxhohet nga Agjencioni për Arsim dhe Aftësim Profesional. Në raport konstatohet: “ Roli dhe e ardhmja e Agjencionit për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Edukimin e të Rriturve mbetet i paqartë”. Si mos të mbetet i paqartë kur dihet mënyra e formimit të tij. Të gjithë e dinë si është formuar dhe si është politizuar skajshmërisht ky agjencion duke emëruar si udhëheqës të tij, këshilltarin politik të ish ministrit, z.Ramë Buja.

Më tutje në raport thuhet: “Përafërsisht rreth gjysma e të gjithë nxënësve të shkollës së mesme të lartë kanë zgjedhë arsimin profesional dhe Kosova ka marrë mbështetjen e BE për të reformuar këtë sektor. Megjithatë progresi mbetet i ngadaltë, lidhja me tregun e punës e dobët, mungon zbatimi i programeve në praktikë dhe vetëm disa prej tyre janë akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve”.

Së pari të sqarojmë se nga viti 2008, për shkak të rrjetit të fragmentuar të shkollave profesionale ka filluar rritja e përfshirjes së nxënësve në gjimnaze në vend se të ndodhë e kundërta.

Nëse i referohemi statistikave në të kaluarën do të konstatojmë se para luftës , edhe në kushtet e organizimit të mësimit jashtë objekteve shkollore, ne kemi arritur që ta ruajmë një përqindje solide të përfshirjes së nxënësve në shkollat profesionale. Kjo përqindje ka qenë 60 me 40 në

favor të shkollave profesionale. Të gjitha statistikat e viteve 90 dhe ato deri në vitin 2008 e konfirmojnë këtë proporcion.

Sot gjendja faktike konfirmon një raport shumë të pafavorshëm për shkollat profesionale, pasi praktikisht ky raport ka arritur në vlerta 50 - 50 .

Pra në vend se të përqafohet modeli evropian, ku të gjithë synojmë, është përqafuar modeli i Shqipërisë, i cili është i vetmi vend në Evropë, ku shumica absolute e nxënësve të shkollave të mesme të larta, 80% e tyre, ndjekin mësimet në gjimnaze.

Nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë për ndryshimin e rrjetit të shkollave profesionale. Kemi probleme serioze me nomenklaturën e profesioneve, e cila nuk është harmonizuar me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve.

Realizimi plan-programeve është kryesisht teorik, pasi shumica e shkollave nuk kanë laboratorë.

Mungojnë tekstet shkollore dhe materialet tjera profesionale, instruktorët dhe kabinetet, ku mund të realizohet praktika profesionale.

Në këtë mënyrë nuk mund të fitohen kompetencat dhe shkathtësitë për punë që janë kusht elementarë për punësim.

Po t’i referohemi strukturës së arsimit profesional atëherë do të arrijmë te të dhënat që vërtetojnë s’përputhje totale me kërkesat e tregut të punës në vend.

Profilet arsimore që e dominojnë këtë strukturë janë profilet ekonomike dhe juridike. Profilet tjera për të cilat Kosova ka resurse natyrore të mëdha, janë simbolike.

Në vend që nxënësit të orientohen në lëmenjtë si Bujqësia Veterinaria dhe Përpunimi i Ushqimit, për të cilat ka nevojë tregu i punës, një shkollë e tillë në Gjilan së shpejti do të mbyllet.

Profilet si Gjeologjia Xehetaria dhe Përpunimi i Metaleve kanë mbetur me një numës simbolik të nxënësve.

Jemi në kohën e zgjidhjes së problemeve ligjore me pronën e Kombinatit Xehetaro-Metalurgjik Trepça, por nuk kemi kuadro të profileve të gjeologjisë, xehetarisë dhe metalurgjisë. Në tërë Kosovën nuk i kemi as 700 nxënës në profile të tilla. Kemi rezerva të mëdha të jometeleve në Dardanë, por nuk kemi profile ku nxënësit përgatiten për këtë lëmi.

Kemi rezerva të mëdha të qymyrit por nuk përgatisim kuadro për eksploatimin e tij.

Në lëmin e elektroteknikës, një numër simbolik i nxënësve është i orientuar në profilin e energjetikës.

Në vend që kompetentë të turpërohen para këtyre të dhënave ata vazhdojnë të predikojnë për një arsim profesional të harmonizuar me tregun e punës.

Arsimi i lartë

Kosova ka nevojë për përmirësimin e transparencës në institucionet e arsimit të lartë dhe për të adresuar rekrutimet politike, thuhet në mes tjerash në raport.

Vazhdon me të njëjtin ritëm angazhimi i ministrave dhe mësimdhënësve të privilegjuar të pushtetit në disa universitetet publike dhe private, apo si thuhet në raport, në poste të shumëfishta me kohë të plotë.

“Ka pasur pak progres në zbatimin e marrëveshjes së vitit 2011, në mes Beogradit dhe Prishtinës për njohjen e diplomave” konstatohet në raport.

Përkundër këtij fakti ministri Bajrami me pompozitet reklamon njohjen e njëanshme të diplomave të universitetit të Mitrovicës i cili kontrollohet plotësisht nga Beogradi. Në vend të reciprocitetit konfirmohet nënshtrimi.

“Arsimi mbetet një sektor me rrezik të lartë për korrupsion dhe ndikim politik. Cilësia e programeve pasuniversitare është shumë e kufizuar. Buxheti për hulumtime mbetet i pamjaftueshëm, nën 0.2% të GDP. Ligji për Veprimtari Kërkimore Shkencore nuk është duke u zbatuar”.

Përkundër të gjitha këtyre të dhënave, në vend se MASHT dhe ministri Bajrami të shpallë një mobilizim emergjent për tejkalimin e situatës dhe të identifikojë bartësit e këtyre dukurive negative, çdo ditë dëgjojmë fraza të pakuptimta për rritjen e cilësisë së arsimit.

Temat:
Lexo të tjera