23:31 / E enjte, 02 Mars 2017

"Deja vu" në Colmar, përkëledhen engjëjt e zinj !

"Deja vu" në Colmar, përkëledhen engjëjt e zinj !

Shkruan: Agim Muhaxheri

Franca kurrën e kurrës nuk do t'i ekstradonte në Beograd Jacques Chiracun e Bernard Kouchnerin. Për Ramush Haradinajn i mbyllë sytë, bën gjimnastikën gjyqësore që bie ndesh me të drejtën penale ndërkombëtare ! Pse ? Serbia nuk ka jurisdiksion ndaj shtetit të Kosovës. Fletarresti i saj është me 'këmbë të qelqta'. Assesi, në asnjë mënyrë s'bën të ndodhë vrasja juridike

------------------------

Në Colmar të Francës ndodhi "deja vu". Shtyhet sërish seanca, më 6 prill, ndaj gjeneralit dhe ish - kryeministrit Ramush Haradinaj. Cirku vazhdon me pengun. Luhet me të si macja me miun. Franca përkëledh Serbinë armike !

Po kjo Serbi para 17 viteshi kishte dënuar në mungesë me nga 20 vjet burg për krime të luftës burrë shtetasit botërorë, Bill Clinton, Tony Blair..., ndër ta edhe presidentin francez Jacques Chirac. Madje ndaj tyre sajoi fletarrestet ("poternicat').
Jacque Chiracun e nxorën në grykë të topit.
Këtë "cikërrimë" e kanë harruar, apo jo francezët ?

Do ta ekstradonte Franca Chiracun në Beograd ? Kurrën e kurrës s'do ta bëntë këtë.
Seanca e sotme (2 mars) për Haradinajn, e caktuar në orën 9:00, zgjati pak minuta. Gjykata e Apelit , për të dytën herë e bëri fizkulturën e saj gjyqësore. Trupit gjykues, në përbërje të tri zonjave u duhet kohë ta analizojnë lëndën e "trashë"!
Kërkohen "informacionet shtesë" ! Kjo ishte arsyeja e shtyerjes së seancës edhe për një muaj. Nuk ka dert pse Ramushi mbetet i ngujuar në njërin nga "kafazët" e Francës.
Serbia kërkon ekstradimin e shtetasit të huaj ! Kërkon që Ramushin ta ekstradojnë në Beograd.

Dihet ç'është ekstradimi, kush e kërkon, pse e kërkon. Juristët e dinë ç'është kompetenca reale, ç'është ajo territoriale. Ajo (Serbia) nuk mund të kërkoj ekstradimin e shtetasit të huaj.

Ramush Haradinaj është shtetas i Republikës së Kosovës, zotërinj gjyqtarë !
Serbia e ka një lëndë të moçme për veprën penale të terrorizmit ndaj Agim Çekut, Hashim Thaçit dhe Bernard Kouchnerit, ky i fundit i cilësuar si "pomagaç" (ndihmës) i tyre.
Assesi, në asnjë mënyrë Franca nuk do ta ekstradonte ish - shefin e UNMIK-ut dhe ministrin e Jashtëm, Bernard Kouchnerin.

Serbia nuk ka jurisdiksion ndaj shtetit të Kosovës. Franca e Nicolas Sarkozy ndër të parat e ka njohur pavarësinë tonë. Franca e François Hollande e tir drejtësinë ! Kësaj i thonë "contradictio in adjecto".  Fletarresti serb është me 'këmbë të qelqta', të cilat nëse nuk bëhen copë - copë, atëherë vritet drejtësia. Të përkëledhësh engjëjt e zinj, është imazh i keq për Francën. Broçkullat e serbëve të paturpshëm s'i çon as pampuri. E vetmja zgjidhje është të lirohet Ramushi, nuk ka zgjidhje tjetër.

Lexo të tjera