12:17 / E martë, 29 Nentor 2016

Deliu, një prozator i shkëlqyer

Deliu, një prozator i shkëlqyer

Recension

Romani “Puthësi i paligjshëm” i Azem Deliut

Romani “Puthësi i paligjshëm” i Azem Deliut është dëshmia e radhës e një studenti letërsie që më shumë se pasion, letërsinë e ka ushqim shpirtëror, domosdoshmëri jetësore. Krijimtaria letrare e Azemit e cila deri më tani ka përfshirë me shumë poezinë, por duke mos e lënë anash as shkrimin në prozë, siç e dëshmon edhe ky roman, na sjellë vetvetiu pyetjen: Si mundet një djalosh kaq i ri në moshë, të shkruajë, përceptojë e shprehë, me një pjekuri që të befason? Sigurisht, përgjigjjen e kësaj, e kuptojmë kur e njohim më mirë Azemin dhe veçanërisht kur e dëgjojmë në diskutimin e tij për letërsinë, duke ardhur në përfundimin, se ndryshe nga shumë moshatarë të tij, Azemi ka një perspektivë tjetër të të menduarit dhe gjykuarit.

Edhe romani “Puthësi i paligjshëm” ia vë pikërisht këtë pyetje lexuesit të vet. Ky roman, që nga fillimi është i lidhur ngushtë me paradoksin, me të pazakontën, intenca e së cilës shtrihet në krejt linjën narrative. Romani ngërthen atë që nuk mund t’i ikë syrit të një shkrimtari, sistemin totalitar, sistem ky që ndrydh, persekuton e shfryn tërë mallkim, jo vetëm mbi lirinë e të drejtën e përgjithshme të njeriut, por edhe mbi ndjenjën njerëzore, dashurinë. Romani nuk ka kohë e as vend të veprimit, por si qendër ka Republikën e Moralistës e cila mund të shtrihet kudo e kurdo. Kjo republikë që autori zgjedhë ta emërojë poashtu përmes paradoksit, e që është një republikë e thonjëzave, shpalos programin e saj absurd, ndalimin e ideologjisë së rrezikshme të quajtur dashuri. Që këtu, zë të zhvillohet rrëfimi i cili përçohet nga ironia, si figurë tjetër kyçe e romanit. Të duash, dhe aq më pak të puthësh jashtë orarit, jashtë normave të kësaj republike, përbën një kërcënim që shpalos dënimin e padëgjuar ndonjëherë, ekzekutimin. Personazhet e romanit, përjashtim protagonistit, Ivan Shollohovit, janë personazhe të dilemave, të pasigurisë, të pa identitet, e që mbesin peng i një kohe të pa kohë. Autori i skalit me kujdes personazhet e tij, duke i tipizuar dhe vënë nën prizmin psikologjik.

 Kështu, Shoku 34, emër ky i vënë sipas përcaktimit të partisë, rrjedhimisht liderit, është personazh që e ka harruar edhe emrin e tij të mëparshëm. Absurdi që e përshkon fund e krye romanin, shpalos edhe një personazh tjetër, gjykatësin që është vetëm 11 vjeçar. Kjo është edhe ironia e radhës e autorit për të treguar se si funksionon Republika e Moralistës, republikë kjo që ia kalon edhe asaj të Pallatit të ëndrrave, dhe që kontrollin e saj e ushtron në përcaktimin e puthjeve. Një republikë që e përjashton dashurinë, dhe si rrjedhojë e kësaj, përjashton dhe njerëzoren, ndjenjën, shpresën. Edhepse nuk ka unitet të kohës dhe të vendit, autori është një vrojtues i mirë i aktualitetit në vend, i situatave reale brenda një republike të hajthme.

Personazhet e tij janë personazhe që kanë bazë reale, e të cilët autori i sjell përmes një përpunimi të veçantë artistik. Individi dhe pushteti, të reflektuar si dy anë të së njejtës medalje, shpalosin përballjen e tyre, përballje kjo, që do të përfundojë me tjetërsimin e tjetrit, rëndom të individit që është i pafuqishëm përballë një sistemi të shpërfytyruar. Përballja e Ivan Shollohovit me këtë republikë bizare, shfaq konceptin etik, filozofik dhe ekzistencial. Lufta e individit si qenie e pafuqishme me një substancë që e ka të shtruar rrugën drejt qëllimit e manipulimit psikologjik e moral, nuk ka sesi të jetë triumfuese. Romani është sintezë e kësaj lufte që zanafillën e saj e ka krejt të hershme. Si pjesë e veçantë e rrëfimit të autorit, e që artikulohen më së miri artistikisht, janë letrat e Ivan Shollohovit dërguar të dashurës së tij. Këtu, autori flet lirshëm me gjuhën e protagonistit. Në këtë pjesë, zë krye meditimi dhe përshkrimi i një situate e gjendje shpirtërore ta pa zgjidhje, në të cilën njeriut nuk i mbetet tjetër pos të mendojë: Të gjithë njerëzit provojnë ta zgjasin jetën e tyre (përveç atyre që provojnë ta shkurtojnë atë) dhe, nëse iu jepet të zgjedhin mes vdekjes sot dhe vdekjes nesër, të gjithë, edhe nëse iu sqaron se s'kanë nga dreqin t'ia mbajnë, do të zgjedhin të vdesin nesër.

Tentim-ikjen e kemi në gjak. Kështu funksionojmë, shprehet protagonisti. Një dell filozofik zë hapësirën e këtyre faqeve, duke e bërë më të fuqishëm rrëfimin dhe si të tillë më të realizuar: Në qoftë se Zoti e ka caktuar datën e vdekjes së çdokujt, a nuk është krimineli në këtë rast një asistent i Zotit? Po pra. Njerëzit janë kaq kontradiktorë sa, i konsiderojnë për të shenjtë prindërit që paskan ndërmjetsuar mes Zotit dhe nesh për ta ndërtuar jetën, ndërkohë që i urrejnë pa masë, kriminelët që e ndihmojnë Zotin të marrë jetët. Romani “Puthësi i paligjshëm” ndonëse roman i parë i një autori të ri, i vjen lexuesit me një rrëfim mjeshtëror, me një gjuhë që artikulon shprehjen e fuqishme, duke e bërë autorin e saj, poetin e mëparshëm, një prozator të shkëlqyer.

- Serafina Lajçi është ligjëruese e letërsisë në Fakultetin e Filologjisë – dega Letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës.

Lexo të tjera