22:40 / E mërkurë, 21 Qershor 2017

Dialogu modernist drejt Monologut postmodernist

Dialogu modernist drejt Monologut postmodernist

Jeta, tej për tej, favorizon monologun. Monologun e njohur dhe të panjohur deri më sot, kryesisht i njohur në formën e gjertanishme, jo rrallë i përzier me të panjohurën herë të njohur e herë krejtësisht të panjohur, duke lidhur të djeshmen dhe të sotmen përballë të nesërmes.

E shpërfaqur në forma të ndryshme, shumë herë si e dhembshme, e frikshme, e shëmtuar, e pamëshirshme, por edhe e dashur, e bukur, njohëse, mirënjohëse, mosmirënjohëse, jeta jep pamje të saj të njëanshme, të dyanshme, të gjithanshme, gjithnjë dhe në të gjitha shoqëritë që sjellin monologun. 

“Inherentja, në idenë e modernitetin, është në kontrast me traditën”, sipas Giddensit, ndaj dhe pason pesimizmi i vrullshëm si rrjedhim dhe përfundimi në monolog në e heshtur, në sprovën kruciale të njerëzimit në monologun postmodernist si monolog pajtimi, kundërshtimi, imitimi, refuzimi, monolog i cili ka nisur në heshtje dhe përmbyllet në heshtje.

Si i tillë, ky monolog bëhet i përjetshëm brenda shoqërive të mbyllura postmoderniste-monologiste. Ata që i dhanë frymë postmodernitetit, i dhanë frymë edhe heshtjes së monologut apo monologut të heshtur. 

Krijuan ndasitë pa kufij, duke i bërë kufijtë si pak, ose aspak të rëndësishëm dhe, sado që nuk krijuan, mundësuan Monologun e Madh dhe të dhembshëm postmodenrist ngase pakufizueshmëria indivduale sikur prodhon nevojën e hapjes së monologut dhe rrok përpara përfundimin e “hershëm” të dialogut, dialogut të keqinterpretuar, dialogut të keqkuptuar dhe të keqmenaxhuar. 

Sot, si asnjëherë më parë dhe si asgjë më parë, Monologu Postmodernist mbyll e përmbyll jetën, duke hapur shumë e më shumë shtigje të saj. Kush i mbylli e kush i hapi ato? 

Kush krijoi idenë e mbylljes përmes hapjes? Qytetërimi, i sfiduar nga Dialogu Modernist dhe tash Monologu Postmodenrist, sikur krijoi mundësitë e shumta të shtigjeve të reja, drejt humbjes së busullës për njerëzimin.

Pakufizueshmëria individuale, rrjedhimisht çon tek pakufizueshmëria e përgjithshme, ku të gjithë kanë të drejtë e askush nuk ka të drejtë, ku të gjithë dinë e askush nuk është i dijshëm, ku të gjithë munden, por askush nuk vepron. 

Prandaj Giddens pohon se radikalizmi ka ndodhur kryesisht për shkak të kritikës së vetë bazave filozofike të modernitetit-evolucionizmit, besimit tek arsyeja dhe tek dija e sigurt. Kjo ka sjellë sjell pasojën e tundjes së furishme të idesë së dialogut, duke përçuar tejpërtej idenë e monologut dhe duke prodhuar idenë e radikalizmit.

Anthony Giddens, duke parë lëvizjet e shoqërive si ikje nga tradita, meqë s’mund të flenë bashkë tradita dhe modernia, konsideron shoqëritë e sotme si “shoqëri të informacionit” apo “shoqëri të konsumit” ku, si thoë Giddens, jetët tona janë si një lloj “eksperimenti”.  Edhe pse mund të vëhen pika dyshimi në vetë përfundimin e modernitetit dhe në fillimin e postmodernitetit, megjithatë, jetojmë në shekullin e konsumit të lartë, hiperinformacionit, dhe radikalizmit të shpërfaqur hapur.

Duke i pasur të gjitha mundësitë, për njohje e rinjohje, dije, eksplorim, vlerësim e rivlerësim, rrjedhimisht, duke qenë kaq i pafuqishëm përballë ndryshimeve të shpeshta e të shpejta, fuqia e vetme e tij po mbetet adaptimi me ndryshimet. E, pas gjithë kësaj, sërish kthimi në bazë, por jo tashmë në dialog, por në monolog. 

E tëra kjo duket se po ndodh krejtësisht me këtë shpejtësi ndryshimi, të cilën shoqëritë nuk po mund ta ndjekin dhe shpeshherë as të jenë pas saj, përveçse konstatimit që i referohet edhe Giddensi, se shpejtësia e ndryshimit në kushtet e modernitetit është ekstreme, por se kjo shpejtësi e hyrjes në posmondernitet duke se është dukshëm më esktreme se kjo e ditëve të modernitetit. 

Kjo shpejtësi ekstreme, shkon në atë rrafsh ku gjithëkuptimësia shndërrohet në pakuptimësi dhe shumësia në pak gjë. Duke prodhuar heshtjen përballë ndryshimit si dhe pafuqinë e refuzimit e pamundësinë e adaptimit, Giddens pajtohet të ndahet nga tjetri e të tjerët, duke u mbyllur në veten e tij, në heshtjen sa të dhembshme, aq edhe të pashpjegueshme, në monologun as modernist, as postmodernist. 

Pafuqia e të menduarit mbi reflektimin e përgjithshëm shoqëror apo mosreflektimin si pasojë të shpejtësisë, qoftë si vetëbesim i tepruar a i pagjykuar me bazën e refleksivitetit, sipas Giddensit “shkatërron arsyen”, sidomos, “aty ku arsyeja kuptohet si përfitim i dijes së sigurt”.  

Besimi tek arsyeja e arsyeshmëria ju takon të paarsyeshmëve ngase shumica mbeten në mëshirën e “arsyeshmërisë së të paarsyeshmëve”, për të përfunduar në monologun herë të arsyeshëm e herë të paarsyeshëm, pra në Monologun Postmodernist. Mbi gjithë këtë, zhgënjimi sa vjen e rritet nga dita në ditë, nga vendi në vend, nga shoqëria në shoqëri, ngase “besimi dhe vetëbesimi u referohen pritshmërive të cilat mund të jenë zhgënjyese ose shkatërruese”, thotë Giddens. 

Në gjithë këtë arsye të paarsyeshme dhe paarsyeshmëri të arsyeshme, kapërcimi nga moderniteti në post-modernitet, përpos që nënkupton ikjen nga Dialogu në Monolog, sipas Giddensit, ndodh ngaqë “post-moderniteti shoqërohet jo vetëm me fundin e fundamentalizmit, por edhe me “fundin e historisë”, e kjo rrjedhimisht sjell edhe kalimin e pakthim nga Dialogu Modernist në Monologun Postmodernist.

Shkruan: Florent RRAHMANI

Lexo të tjera